Në dhjetor 2025, Maqedoninë e Veriut e kanë vizituar më së shumti turistë nga Türkiye.
Enti Shtetëror i Statistikës publikoi shifrat e fundit në lidhje me turizmin në vend.
Sipas njoftimit, në dhjetor 2025 janë regjistruar 59.521 turistë, të cilët kanë realizuar 112.001 qëndrime, ndërsa nga numri i përgjithshëm i turistëve, 36,7 për qind janë vendas dhe 63,3 për qind janë turistë të huaj.
Nga numri i përgjithshëm i qëndrimeve, 42,4 për qind janë realizuar nga turistët vendas, ndërsa 57,6 për qind nga turistët e huaj.
Enti i Statistikës në njoftim publikoi edhe shifrat për periudhën janar-dhjetor 2025.
Sipas këtyre të dhënave, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, numri i përgjithshëm i turistëve është rritur për 6 për qind, përkatësisht te turistët vendas ka ulje prej 2,2 për qind, ndërsa te turistët e huaj ka rritje prej 10,3 për qind.
Në renditjen e vendeve nga të cilat kanë ardhur më së shumti turistë të huaj në dhjetor 2025, turistët nga Türkiye janë në krye me 7.303 turistë, pasuar nga ata nga Bullgaria me 5.214, Serbia me 4.736 dhe Greqia me 3.438.

























