| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Rama: Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri që po mbron lirinë e saj
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e konsideroi rindërtimin e Ukrainës dhe integrimin evropian të Ballkanit si procese që përforcojnë njëra-tjetrën.
Rama: Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri që po mbron lirinë e saj
Rama: Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri që po mbron lirinë e saj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës deklaroi se procesi i rindërtimit nuk duhet ta presë përfundimin e luftës.

Kryeministri Rama në fjalën e tij tha se nëse rindërtimi nis vetëm pasi të ketë përfunduar konflikti në Ukrainë, atëherë do të jetë tepër vonë për të vepruar.

"Besoj se koncepti i këtij takimi është shumë i thjeshtë: nëse rindërtimi pret derisa të bjerë plumbi i fundit, atëherë do të jetë tashmë tepër vonë dhe pikërisht për këtë arsye jemi sot këtu. Ndërkohë, Ukraina po rindërtohet ndërsa njëkohësisht mbron veten. Ky është kuptimi i madh i kësaj konference. Shqipëria është këtu me një bindje shumë të thjeshtë: Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri që po e mbron lirinë e saj", tha Rama.

Ai po ashtu konsideroi rindërtimin e Ukrainës dhe integrimin evropian të Ballkanit si procese që e përforcojnë njëra-tjetrën. Sipas Ramës, këto procese lidhen drejtpërdrejt me ndërtimin e një Evrope më të qëndrueshme dhe me uljen e cenueshmërive të saj strategjike.

"Natyrisht, rindërtimi nuk është bamirësi, por strategji. Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar atë që është shkatërruar, por për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, europiane, moderne dhe të qëndrueshme, duke treguar se e gjithë Evropa është e aftë ta bëjë këtë. Ukraina po rindërton guximin e Evropës. Evropa duhet të ndihmojë në rindërtimin e së ardhmes së Ukrainës", tha Rama.

Konferenca për Rindërtimin e Ukrainës po zhvillohet në Gdansk të Polonisë, me pjesëmarrjen e liderëve politikë, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të biznesit dhe shoqërisë civile.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë