Të paktën 28 persona u vranë dhe 90 të tjerë u plagosën pasi një shpërthim i fuqishëm nxori nga shinat një tren mallrash në jugperëndim të Pakistanit të dielën, sipas zyrtarëve dhe mediave lokale.
Shpërthimi ndodhi në një linjë hekurudhore në Quetta, kryeqyteti i provincës Balochistan, dhe sipas kanalit lokal 24 News, kishte në shënjestër një tren që po lëvizte drejt zonës ushtarake të qytetit.
Sipas burimeve, sulmuesi vetëvrasës, i cili besohet se ka vepruar i vetëm, përplasi një automjet të mbushur me eksploziv me trenin që transportonte edhe personel ushtarak në Quetta, kryeqytetin e provincës Balochistan.
Zyrtarët thanë se shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u dëgjua disa kilometra larg.
Mes viktimave kishte edhe civilë, ndërsa disa shtëpi pranë hekurudhës dhe automjete pësuan dëme të mëdha.
Ushtria Çlirimtare e Balochistanit (BLA), e shpallur organizatë e ndaluar, mori përgjegjësinë për sulmin në një deklaratë dërguar mediave lokale, duke thënë se një sulmues vetëvrasës kishte në shënjestër personelin ushtarak.
Pas shpërthimit u raportuan gjithashtu të shtëna të shumta me armë zjarri, ndërsa autoritetet shpallën gjendje emergjente në disa spitale të Quettas.
Më herët, Babar Yousafzai, këshilltar i posaçëm i Departamentit Provincial të Punëve të Brendshme, tha se forcat e sigurisë dhe ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, ndërsa policia po hetonte natyrën e shpërthimit.
Balochistani, një rajon i pasur me minerale dhe një korridor i rëndësishëm i projektit shumëmiliardësh Korridori Ekonomik Kinë-Pakistan, prej kohësh përballet me dhunë nga grupe separatiste.
Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif e dënoi sulmin, duke deklaruar se “akte të tilla frikacake terroriste nuk mund ta dobësojnë vendosmërinë e popullit të Pakistanit”.
“Ne mbetemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të eliminuar terrorizmin në të gjitha format dhe shfaqjet e tij”, shkroi ai në X.























