Kryeministri i Republikës Turke të Qipros Veriore (RTQV), Ünal Üstel, tha të hënën se një zgjidhje e qëndrueshme në Qipro mund të arrihet vetëm përmes njohjes së realitetit në ishull, duke i bërë thirrje OKB-së ta njohë RTQV-në.
“Nëse Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dëshiron të hyjë në histori duke e zgjidhur çështjen e Qipros, atëherë duhet të bëhet kjo: Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duhet të mblidhet dhe ta njohë Republikën Turke të Qipros Veriore”, tha Üstel.
Sipas një deklarate me shkrim të Partisë së Unitetit Kombëtar (UBP), të cilën e drejton Üstel, ai i bëri këto deklarata ndërsa Guterres po përgatitet të vizitojë Qipron nga 27 deri më 29 korrik dhe të takohet me udhëheqësit turkoqipriot dhe grekoqipriot.
Üstel tha se një proces i ri për Qipron mund të fillojë vetëm me pranimin e realitetit politik në ishull.
Ai shprehu shpresën se vizita e Guterresit do të ofrojë një mundësi për të rivlerësuar me sinqeritet ato që i përshkroi si padrejtësitë e përjetuara prej shumë vitesh nga populli turkoqipriot.
Üstel argumentoi se premtimet e bëra ndaj turkoqipriotëve pas referendumit të vitit 2004 për Planin Annan nuk ishin përmbushur, ndërsa izolimi i tyre ishte thelluar dhe ajo që ai e cilësoi si trysni sistematike ekonomike ndaj RTQV-së ishte shtuar.
Ai tha se përgjegjësia kryesore u takon BE-së dhe OKB-së, të cilat nuk i kanë përmbushur zotimet e tyre.
Üstel i bëri gjithashtu thirrje OKB-së të heqë dorë nga ajo që e përshkroi si një qasje të bazuar në federatë, e cila nuk ka arritur të japë rezultate për më shumë se gjashtë dekada.
“Realiteti në ishull është i qartë. Në Qipro ekzistojnë dy popuj, dy demokraci dhe dy shtete të veçanta”, tha Üstel.
Ai ritheksoi se një zgjidhje e qëndrueshme mund të arrihet vetëm duke pranuar këtë realitet.






















