Presidenti amerikan, Donald Trump, thuhet se u detyrua të ndalojë një operacion të planifikuar në Ngushticën e Hormuzit, pasi Arabia Saudite pezulloi përdorimin e bazave të saj ushtarake dhe hapësirës ajrore për misionin amerikan, raportoi NBC News duke cituar burime të afërta me çështjen.
Sipas raportit, Trumpi i befasoi aleatët në Gjirin Persik kur të dielën pasdite njoftoi “Projektin Liri” në rrjetet sociale, duke shkaktuar pakënaqësi te liderët sauditë.
Si përgjigje, Arabia Saudite i bëri të ditur ShBA-së se nuk do të lejonte avionët amerikanë të operonin nga baza ajrore “Prince Sultan” në juglindje të Riadit, apo të kalonin përmes hapësirës ajrore saudite në mbështetje të misionit, thanë zyrtarët.
Raporti shton se një bisedë telefonike mes Trump dhe princit të kurorës Mohammed bin Salman nuk arriti të zgjidhte çështjen, duke e detyruar presidentin të ndalojë “Projektin Liri” për të rikthyer aksesin e ushtrisë amerikane në hapësirën ajrore jetike.
Edhe aleatë të tjerë në Gjirin Persik u befasuan, pasi Trump kishte komunikuar me liderët e Katarit vetëm pasi operacioni kishte nisur.
Raporti citon një burim saudit që tha se Trump dhe princi i kurorës janë “në kontakt të rregullt”.
I pyetur nëse njoftimi për “Projektin Liri” i kishte befasuar liderët sauditë, burimi u përgjigj: “Problemi me këtë supozim është se gjërat zhvillohen shumë shpejt në kohë reale”.
Burimi shtoi se Arabia Saudite “mbështet fuqishëm përpjekjet diplomatike” të Pakistanit për të ndërmjetësuar një marrëveshje mes Iranit dhe ShBA-së për t’i dhënë fund konfliktit.














