Ministri i Jashtëm i Türkiye, Hakan Fidan tha të mërkurën se Ankaraja do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv dhe ndërmjetësues për të kapërcyer ndarjen midis fraksioneve lindore dhe perëndimore të Libisë, duke shprehur optimizëm për negociatat që synojnë ribashkimin e vendit.
"Ne do të vazhdojmë rolin tonë konstruktiv këtu si dhe rolin tonë si ndërmjetës", u tha Fidan gazetarëve në Bengazi pas përfundimit të takimeve në Tripoli dhe Bengazi gjatë vizitës së tij në Libi.
Fidani tha se takimet e tij me liderët nga të dyja anët e ndarjes politike të Libisë i kishin dhënë atij një përshtypje "pozitive", duke vënë në dukje se kishte mbështetje të gjerë për ribashkimin.
Ai tha se zyrtarët në Tripoli mbështesin fuqishëm përpjekjet për të ribashkuar Libinë lindore dhe perëndimore, megjithëse negociatat po vazhdonin me disa kushte të bashkangjitura. Në Bengazi, Fidani u takua me Khalifa Haftarin, komandantin e forcave në Libinë lindore; zëvendësin e tij, gjeneralin Saddam Haftar; kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Aguila Saleh dhe kreun e Fondit të Zhvillimit dhe Rindërtimit të Libisë, Belkacem Haftar.
Ai theksoi se marrëdhëniet e balancuara të Türkiyes me Libinë Lindore dhe Perëndimore vlerësohen gjerësisht. "Aftësia e Türkiyes për të ruajtur marrëdhëniet me lindjen dhe perëndimin në baza të barabarta dhe për të qenë një vend që vërtet dhe realisht dëshiron unitetin dhe integritetin territorial të Libisë, vlerësohet shumë", tha Fidani.
Kryediplomati turk iu referua një propozimi të ShBA-së lidhur me procesin, duke thënë se Uashingtoni po e çonte përpara nismën në konsultim me Türkiyen. Ai shtoi se Türkiye po koordinohej me ShBA-në, Egjiptin dhe vende të tjera të rajonit për të ndihmuar në përparim të negociatave.
Libia mbetet e ndarë mes dy qeverive rivale në lindje dhe perëndim që nga rënia e Muammar Gaddafit në vitin 2011.
Fidani tha se vendi kishte hyrë në një periudhë relativisht të qetë që nga viti 2019 dhe vlerësoi politikën e jashtme të Türkiyes, nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, me dhënien e një kontributi konstruktiv për ruajtjen e stabilitetit.
Rritja e lidhjeve ekonomike Türkiye-Libi
Fidani vuri në dukje lidhjet ekonomike në rritje midis Türkiyes dhe Libisë, duke thënë se kontraktorët turq po ndërmerrnin projekte të mëdha si në Tripoli ashtu edhe në Bengazi. "Puna profesionale, e kualifikuar dhe me cilësi të lartë e kryer nga kompanitë turke vlerësohet dhe miratohet seriozisht nga të dyja palët", tha Fidan duke shtuar se më shumë kompani turke duhet të hyjnë në tregun libian.
Ai tha se Libisë i duheshin jo vetëm më shumë kompani ndërtimi turke, por edhe kompani industriale të afta për të hapur fabrika në vend. Fidani theksoi burimet e bollshme energjetike të Libisë, kostot relativisht të ulëta të punës dhe aksesin e favorshëm në treg për produkte të caktuara si faktorë që mund të tërheqin investime.
"Ne po përpiqemi të përdorim këto marrëdhënie të mira që kemi krijuar me lindjen dhe perëndimin për të ndihmuar të dyja palët të bashkohen dhe të krijojnë një Libi të vetme, sovrane dhe të pavarur", tha kryediplomati turk.






















