Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi, vizitoi Bazën e Mbështetjes për Emergjencat Civile (BMEC), ku u takua me efektivët e Forcave të Armatosura, që angazhohen çdo ditë në ndihmë të komunitetit për përballimin e situatave të vështira emergjente me theks të veçantë te reagimi ndaj zjarreve gjatë sezonit veror.
Ministri Nufi siguroi për angazhimin maksimal në forcimin e kapaciteteve për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe garantimin e një reagimi të shpejtë dhe efektiv, për të qenë pranë qytetarëve në çdo situatë emergjente.
“Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar mbledhjet e komisioneve të Mbrojtjes Civile në të gjitha qarqet e vendit, me fokus të veçantë: masat parandaluese, identifikimin e zonave me rrezikshmëri të lartë, përditësimin e planeve të reagimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional. Njëkohësisht, është rritur ndjeshëm mbështetja për njësitë e vetëqeverisjes vendore, me një financim prej rreth 800 milionë lekësh për vitin 2025 dhe mbi një miliard për vitin 2026. Sot, ju jeni të kompletuar me pajisjet më moderne për përballimin e të gjitha llojeve të operacioneve emergjente e në veçanti, të zjarreve” , tha ministri Nufi.
Po ashtu, Nufi vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), si institucioni përgjegjës për koordinimin e sistemit të mbrojtjes civile, që angazhohet për koordinimin operacional në nivel kombëtar, si dhe bashkëpunon me partnerët ndërkombëtarë dhe Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.
Në prag të sezonit veror, ministri i Mbrojtjes bëri apel për më shumë kujdes nga ana e qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e parandalimit dhe reagimit të shpejtë ndaj çdo rreziku.
Në mjediset e Bazës së Mbështetjes së Emergjencave Civile, u prezantuan kapacitetet operacionale dhe logjistike në dispozicion për reagim emergjent, ndër të cilat: mjete zjarrfikëse dhe mjete operacionale, pajisje personale mbrojtëse për efektivët në terren, Qendra e Lëvizshme Operacionale e Mbrojtjes Civile, dron me kamera termike për monitorimin dhe identifikimin e vatrave të zjarrit, helikopterë të pajisur me sistemin “Bambi Bucket” për ndërhyrje ajrore në rastet e zjarreve masive.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, gjeneralë, oficerë, nënoficerë e punonjës të BMEC-së.





















