Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, mbrëmë është pritur në një darkë zyrtare nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Vernon Coaker, në “Naval and Military Club”, në Londër.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se gjatë darkës, kryeministri Kurti e falënderoi Lordin Coaker për mbështetjen historike të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke përmendur në veçanti: ndihmën ndaj refugjatëve, rolin e gjeneralit Michael Jackson në çlirim si dhe pas luftës në shtetndërtim, zhvillim dhe integrim.
Kurti theksoi se Kosova dëshiron të ketë bashkëpunim edhe më të ngushtë ushtarak dhe të mbrojtjes, në drejtim të vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta.
Në këtë kontekst, kryeministri kosovar përmendi bashkëpunimin në fusha specifike, si bashkëzbarkimet, trajnimet dhe zhvillimin e kapaciteteve.
Britania e Madhe është një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe mbështetëse e saj në arenën ndërkombëtare.





















