Kontratat e së ardhmes për naftën Brent u rritën sërish mbi 110 dollarë për fuçi ndërsa tregjet po reflektonin rreziqet e zgjatura të ndërprerjeve në Lindjen e Mesme, me investitorët të fokusuar te ulja e rrjedhave përmes Ngushticës së Hormuzit dhe mundësia e humbjeve të mëtejshme të furnizimit rajonal.
Nafta Brent, përkatësisht standardi ndërkombëtar u tregtua me 110.12 dollarë për fuçi në orën 08:30 GMT ndërsa standardi amerikan West Texas Intermediate arriti në 94.85 dollarë. Pavarësisht një zbutjeje të lehtë gjatë ditës, të dy standardet mbetën dukshëm më të larta krahasuar me periudhën para fazës së fundit të konfliktit.
Rritja e çmimeve erdhi derisa lufta në Lindjen e Mesme vazhdon të trazojë tregjet e energjisë, me Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për transportin global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG), që operon nën presion të madh.
Konflikti pothuajse ka bllokuar dërgesat përmes kësaj rruge ujore, e cila normalisht transporton rreth një të pestën e furnizimit global me naftë dhe LNG.
Tregjet e naftës mbetën nën presion ndërsa sinjalet kontradiktore nga Uashingtoni dhe Teherani errësojnë perspektivat për një ulje të shpejtë të tensioneve, edhe pasi presidenti amerikan Donald Trump, zgjati me 10 ditë pezullimin e sulmeve që synojnë infrastrukturën energjetike iraniane.
Tregtarët vazhduan të fokusohen më shumë te rreziku i një konflikti të zgjatur sesa te zhvillimet e përditshme diplomatike, me shqetësimet kryesore të përqendruara te ndikimi i ndërprerjes së rrjedhave përmes Ngushticës së Hormuzit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e ka përshkruar goditjen aktuale të furnizimit si më të rëndë se krizat e naftës të viteve 1970 dhe ndërprerja e gazit nga lufta Rusi-Ukrainë së bashku ndërsa Reuters raportoi se rreth 11 milione fuçi në ditë janë hequr nga furnizimi global.




















