Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian tha të martën se sulmet e pretenduara hibride të Rusisë kundër Evropës synojnë të “frikësojnë dhe paralizojnë” shoqëritë dhe mekanizmat vendimmarrës, duke u bërë thirrje vendeve të përgjigjen duke i imponuar Moskës “kosto më të mëdha”.
“Sulmet hibride të Moskës janë të dizajnuara për të na frikësuar, për t'i paralizuar shoqëritë tona dhe për të na bërë të hezitojmë të veprojmë. Kjo është pikërisht ajo që dëshiron Putin”, tha Kaja Kallas në një seancë plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës.
“Nuk duhet të lejojmë që frika të diktojë zgjedhjet tona. Duhet t’i përgjigjemi nivelit të këtyre sulmeve me veprime konkrete dhe një reagim të vendosur”, shtoi ajo.
Kallas vuri në dukje një sërë incidentesh të fundit në Evropë, përfshirë një incident që dyshohet se përfshinte një anije luftarake ruse dhe një helikopter danez, rrëzimin e një droni mbi Lituani nga avionë të NATO-s, një sulm rus ndaj një treni pasagjerësh pranë kufirit ukrainas dhe gjetjen nga Polonia të një droni në ujërat e saj.
“Duhet t’i shohim gjërat qartë. Këto nuk janë aksidente. Janë përpjekje të llogaritura nga Rusia për të dobësuar vendosmërinë tonë, për të testuar unitetin tonë dhe për të luajtur me frikën nga përshkallëzimi”, tha ajo.
Kallas theksoi se Evropa duhet të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën pavarësisht veprimeve të Moskës.
“Një gjë është shumë e qartë: (presidenti rus Vladimir) Putin nuk do të ndalet nëse nuk ndalohet. Prandaj, ndërsa Rusia është e gatshme të marrë rreziqe më të mëdha, Evropa duhet t’i imponojë një kosto më të madhe”, tha ajo.
Ajo renditi disa masa që, sipas saj, Evropa duhet të ndjekë, përfshirë atribuimin publik të sulmeve ndaj Rusisë, sanksionimin e personave përgjegjës, ndërprerjen e burimeve të financimit të Rusisë, kufizimin e aktiviteteve dhe lëvizjes së diplomatëve rusë dhe forcimin e mbrojtjes së hapësirës informative të Evropës.
Kallas tha se BE-ja duhet të shqyrtojë kufizime të mëtejshme ndaj lëvizjes së diplomatëve rusë brenda zonës Schengen, një ndalim të mundshëm të vizave për ish-luftëtarët rusë dhe një rishikim të lëshimit të vizave turistike për qytetarët rusë.
“Duhet ta zvogëlojmë numrin e personave që kryejnë sulme në territorin evropian”, tha ajo.






















