Shqipëri, mbahen takime mes bizneseve turke dhe shqiptare
Gjatë aktivitetit u diskutua për çështje të përbashkëta për sektorët e sistemit ligjor, sistemit të tatimeve, energjisë dhe bankave.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Türkiye (ATTSO) dhe Shoqata e Industrialistëve dhe biznesmenëve të Ballkan-Rumeli (BALKANTURKSIAD) kanë organizuar në Tiranë një aktivitet me fokus prezantimin e kompanive dhe realizimin e takimeve B2B mes kompanive turke dhe shqiptare.
Pjesë e aktivitetit ishin drejtori i Zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, kryetari i Bordit Drejtues të ATTSO-së, Kenan Sevinç, sekretari i përgjithshëm ATTSO-së, Ziya Arnavutoglu, kryetari i Bordit të BALKANTURKSIAD, Iskender Iskenderoglu, dhe përfaqësues të kompanive shqiptare dhe turke nga sektorë të ndryshëm.
Gjatë fjalës së tij Sevinç u shpreh se objektivi kryesor i tyre është t'u japin marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve një strukturë më të fortë dhe më të qëndrueshme.
Ai theksoi se ATTSO-ja është një institucion urë që bashkon sipërmarrësit turq dhe shqiptarë, që veprojnë në Shqipëri dhe sipas tij që punon për përmirësimin e klimës së investimeve.
Iskenderoglu tha se takimi i sotëm bashkon botën e biznesit të Türkiyes dhe Shqipërisë dhe shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten në një histori shumë të gjatë të përbashkët.
Gjatë aktivitetit u shfaqën video prezantuese për organizatat dhe kompanitë pjesëmarrëse dhe u diskutua për çështje të tjera për sektorët e sistemit ligjor, sistemit të tatimeve, energjisë dhe bankave.
Gjithashtu, u nënshkrua një protokoll bashkëpunimi mes ATTSO-së dhe BALKANTURKSIAD-it.