BE-ja do të krijojë listë të “vendeve të sigurta” për aplikimet për azil

Parlamenti Evropian miratoi rregullore që përshpejtojnë shqyrtimin e kërkesave për azil dhe parashikojnë trajtim më të shpejtë për aplikantët nga shtatë vende të konsideruara të sigurta

By
BE-ja do të krijojë listë të “vendeve të sigurta” për aplikimet për azil / Reuters

Parlamenti Evropian (PE) ka miratuar rregullore që synojnë përshpejtimin e procedurave të azilit, duke përfshirë zbatimin e konceptit të “vendit të tretë të sigurt” dhe krijimin e një liste të përbashkët të “vendeve të sigurta të origjinës” në nivel të Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit të PE-së, deputetët miratuan në seancë plenare krijimin e kësaj liste, e cila do të zbatohet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Rregullorja u miratua me 408 vota pro, 184 kundër dhe 60 abstenime.

Në kuadër të listës së re, kërkesat për azil të shtetasve të Bangladeshit, Egjiptit, Indisë, Kolumbisë, Kosovës, Marokut dhe Tunizisë parashikohet të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar.

Në rastet e aplikimeve nga këto vende, barra e provës për të dëshmuar se kthimi do t’i ekspozonte aplikantët ndaj rrezikut të persekutimit ose dëmit serioz do t’i takojë vetë aplikantit.

Rregullorja parashikon gjithashtu që vendet kandidate për anëtarësim në BE të konsiderohen, si rregull, “vende të sigurta të origjinës”. Ky status, megjithatë, mund të pezullohet në raste të konflikteve të armatosura, niveleve të larta të pranimit të kërkesave për azil ose vendosjes së sanksioneve që cenojnë të drejtat themelore.

Deputetët miratuan po ashtu rregulla që u mundësojnë shteteve anëtare, nëse plotësohen kushte të caktuara, të shqyrtojnë kërkesat për azil sipas konceptit të “vendit të tretë të sigurt”. Kjo vlen në rastet kur aplikanti ka lidhje me vendin përkatës, si lidhje familjare, qëndrim të mëparshëm ose lidhje kulturore dhe gjuhësore, apo nëse ka kaluar përmes atij vendi gjatë rrugës drejt BE-së.

Rregullorja ka nxitur debate lidhur me politikat e migracionit të BE-së. Organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se konceptet e “vendit të sigurt të origjinës” dhe “vendit të tretë të sigurt” mund të dëmtojnë shqyrtimin individual të kërkesave për azil dhe të rrisin rrezikun e kthimit të personave që kanë nevojë për mbrojtje.

Kritikat përqendrohen veçanërisht te shqetësimet për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në disa nga vendet e përfshira në listë. Mbështetësit e rregullores, nga ana tjetër, theksojnë se ndryshimet synojnë përshpejtimin e sistemit të azilit dhe uljen e presionit migrator mbi shtetet anëtare.

Që rregulloret të hyjnë në fuqi, kërkohet edhe miratimi zyrtar nga Këshilli i BE-së.