| Albanian
TÜRKİYE
5 minuta leximi
Zgjidhjet për problemet sociale të Türkiyes janë përmbledhur në një raport
"Raporti i Türkiyes: Parashikimet, Propozimet dhe Zgjidhjet", i përgatitur pas një pune afërsisht 4-vjeçare, ka cilësinë e një udhërrëfyesi që ofron propozime për zgjidhjen e problemeve në fusha të ndryshme të shoqërisë, tha Selim Cerrah.
Zgjidhjet për problemet sociale të Türkiyes janë përmbledhur në një raport
Zgjidhjet për problemet sociale të Türkiyes janë përmbledhur në një raport

Kryetari i Shoqatës "Cihannuma" dhe Anëtari i Bordit të Mandatarëve të Fondacionit Turk "Maarif", Selim Cerrah, deklaroi se "Raporti i Türkiyes: Parashikimet, Propozimet dhe Zgjidhjet", i përgatitur pas një pune afërsisht 4-vjeçare, ka cilësinë e një udhërrëfyesi që ofron propozime për zgjidhjen e problemeve në fusha të ndryshme të shoqërisë.

Prezantimi i këtij raporti, i cili është përgatitur në bashkëpunim midis Shoqatës "Cihannuma" dhe Unionit të Akademikëve dhe Shkrimtarëve të Vendeve Islame (AYBIR), me Agjencinë Anadolu (AA) si Partner Global të Komunikimit, do të organizohet më 17 korrik.

Në një deklaratë për Anadolu, Selim Cerrah u shpreh se raporti është produkt i një pune rreth katërvjeçare.

Duke vënë në dukje se kanë organizuar 28 punëtori të ndryshme me kontributin e rreth 600 akademikëve që punojnë në universitete të ndryshme të Türkiyes, Cerrah bëri të ditur se kanë trajtuar probleme që prekin shtresa të ndryshme të shoqërisë, duke filluar nga inteligjenca artificiale te shëndetësia, bujqësia, menaxhimi i ujit, familja, rinia, digjitalizimi e deri te arsimi i lartë.

Pasi shpjegoi se punëtorinë e parë e kanë zhvilluar në Gaziantep lidhur me çështjen e migracionit, Cerrah tha se pas luftës civile në Siri, Türkiye u përball me një valë të madhe emigracioni dhe se në këtë punëtori u trajtuan në mënyrë të gjithanshme problemet sociale të krijuara nga ky proces, politikat e përshtatjes dhe proceset e kthimit vullnetar.

"Qëllimi ynë ishte të identifikonim problemet e Türkiyes në fusha të ndryshme dhe të zhvillonim propozime për zgjidhjen e tyre", tha ai.

Cerrah vuri në dukje se në raportet e përgatitura kanë zhvilluar propozime për zgjidhje afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata si për problemet me të cilat përballen qytetarët në Türkiye, ashtu edhe për njerëzit që janë detyruar të migrojnë. Ai shtoi se rezultatet e punëtorive janë botuar si libra dhe janë ndarë me ministritë dhe institucionet përkatëse.

Më tej, Cerrah bëri të ditur se 28 raportet e përgatitura në fusha të ndryshme i kanë bashkuar më pas në një tekst të përbashkët. "Në raportin e përgatitur nga 600 akademikë të universiteteve të ndryshme, u përqendruam në çështjet që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të shoqërisë dhe që presin zgjidhje. Përmes këtij raporti të përbashkët, u ofrojmë një udhërrëfyes politikëbërësve dhe zbatuesve", tha ai.

Ai shtoi se raporti do të ndahet me publikun në një aktivitet prezantimi ku do të marrë pjesë edhe Zëvendëspresidenti i Türkiyes, Cevdet Yilmaz, duke nënvizuar se i kushtojnë rëndësi edhe diskutimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të propozimeve të tyre.

Duke theksuar se këto punime i kryejnë me një ndjenjë përgjegjësie ndaj shoqërisë, Cerrah u shpreh: "Ne u rritëm me mundësitë e këtij vendi. Mendojmë se nuk jemi nga që kemi për të marrë nga këto toka, por i detyrohemi (jemi borxhlinj) ndaj asaj. Këtë punë e shohim si një mjet për të shlyer borxhin tonë ndaj shtetit, kombit dhe njerëzimit".

Në raport i është dhënë hapësirë edhe arsimit

Cerrah deklaroi se çështja e arsimit zë një vend të rëndësishëm në raport dhe vuri në dukje se i japin rëndësi "Modelit të Arsimit të Shekullit të Türkiyes" (Türkiye Yüzyılı Maarif Modeli).

Duke pretenduar se qasja e arsimit e zbatuar nga e kaluara deri më sot ka qenë e formësuar kryesisht mbi një bazë materialiste, Cerrah tha se mendojnë që qasja e re e arsimit do të kontribuojë në rritjen e brezave në harmoni me trashëgiminë historike dhe qytetëruese të Türkiyes.

"Propozojmë themelimin e Presidencës së Industrisë së Shëndetësisë"

Në fushën e shëndetësisë, Cerrah vuri në dukje se është shënuar një përparim i rëndësishëm në aspektin e infrastrukturës, duke shtuar se kanë zhvilluar propozime të ndryshme në tema si "analfabetizmi shëndetësor", "parandalimi i dhunës ndaj punonjësve të shëndetësisë" dhe "përdorimi më efikas i shërbimeve shëndetësore".

Ai tregoi gjithashtu se kanë organizuar një punëtori të veçantë për të ardhmen e industrisë së shëndetësisë, ku kanë propozuar themelimin e një zone të integruar të organizuar të industrisë shëndetësore, dhe se e mirëpritën vendosjen në zbatim të këtij propozimi.

Përtej kësaj, Cerrah theksoi se ka nevojë për një strukturë më të fortë dhe më të koordinuar në fushën e shëndetësisë. "Në raport, ne propozojmë themelimin e Presidencës së Industrisë së Shëndetësisë. Mendojmë se një strukturë e tillë, me buxhetin e saj, që do të koordinojë teknologjitë shëndetësore, barnat, pajisjet mjekësore dhe fushat e tjera nën një çati të vetme, do të kontribuojë si në reduktimin e deficitit tregtar të Türkiyes, ashtu edhe në rritjen e kapacitetit të saj të eksportit", tha ai.

"Prodhimi i informacionit është një nga çështjet më themelore të së ardhmes"

Pasi tregoi se kanë zhvilluar dy punëtori të ndryshme edhe për prodhimin e informacionit në arsimin e lartë dhe për inteligjencën artificiale, Cerrah deklaroi se punimet e përgatitura në këtë fushë janë botuar si libër.

Cerrah vuri në dukje se prodhimi i informacionit do të jetë një faktor përcaktues në botën e së ardhmes dhe theksoi se duhen vlerësuar mundësitë që ofron inteligjenca artificiale, por pa humbur qasjen kritike ndaj saj.

"Në raport i kemi dhënë hapësirë edhe inteligjencës artificiale. Nuk mund ta injorojmë atë, por as nuk mund t'i shohim të gjitha të dhënat që ajo paraqet si të vërteta absolute. Mënyra se si do ta prodhojmë informacionin dhe si do t'ia ofrojmë atë në shërbim të njerëzimit është një nga çështjet më themelore të së ardhmes", tha ai.

Cerrah tha gjithashtu se politikat e bujqësisë, blegtorisë, menaxhimit të ujit dhe ato mjedisore janë ndër temat kryesore të raportit, duke tërhequr vëmendjen veçanërisht te rëndësia strategjike e mbrojtjes së burimeve ujore për të ardhmen.

Kryetari i Shoqatës "Cihannuma", Cerrah, shtoi se në të ardhmen politikat për menaxhimin e ujit, prodhimin bujqësor dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore do të marrin edhe më shumë rëndësi, dhe se kanë përgatitur propozime gjithëpërfshirëse në këto fusha.

Në fund, ai shtoi se raporti i përgatitur nuk do të publikohet vetëm në faqen e internetit të Shoqatës "Cihannuma", por do të shtypet në një numër të madh kopjesh për t'u ndarë me institucionet publike, vendimmarrësit dhe palët e tjera të interesit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë