Deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë miratuar marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian (BE), të njohur si Plani i Rritjes, që parasheh përfitime prej 882 milionë eurosh për Kosovën.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se një e treta e Planit të Rritjes vjen si grant, ndërsa 629 milionë euro në formë të kredisë. Ai tha se këto mjete zhbllokohen bazuar në reformat që zbaton Kosova.
Pro kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës votuan 104 deputetë.
BE-ja e miratoi pakon prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor në fund të vitit 2023, por për shkak të bllokadës në Kuvend për muaj të tërë kjo marrëveshje nuk arriti të miratohej në Kuvend deri sot.
Kuvendi ka miratuar edhe Marrëveshje të tjera ndërkombëtare, përfshirë atë me Bankën Botërore prej rreth 90 milionë euro për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër". Kjo marrëveshje parasheh kthimin e mjeteve për 12 vjet, pa kamatë.






















