Kurti: UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse
Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje antikolonialiste, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse.
Në një reagim në ditën kur Prokuroria Speciale e Gjykatës Speciale kërkoi qe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë të dënohen me nga 45 vjet burg, Kurti tha se thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare të Kosovës konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit.
“UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e aparteidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror. Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte”, ka shkruar Kurti.
Kurti tha se Kosova nuk ka pasur kurrë plan shfarosjeje të asnjë populli tjetër apo të civilëve.
Kurti tha se kërkesa e Prokurorisë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard ndërkombëtar.
“Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare”, tha Kurti.
Tutje, Kurti tha se Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje antikolonialiste.
Ai shtoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri, si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre.