Kreu i Këshillit Presidencial të Libisë, Mohamed Menfi, ka bërë thirrje për unifikimin e ushtrisë kombëtare nën një komandë të përbashkët profesionale, e cila do t’i nënshtrohej autoritetit civil.
“Ka ardhur koha për t’i marrë vendimet e nevojshme për unifikimin e ushtrisë kombëtare nën një komandë të përbashkët, profesionale dhe neutrale, nën autoritet civil”, shkroi Menfi në rrjetin social amerikan X.
Ai tha se Libisë i nevojitet “një institucion ushtarak që qëndron larg politikës, armët e të cilit përdoren për mbrojtjen e kufijve, ruajtjen e burimeve, luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e autoriteteve kushtetuese qeverisëse dhe konsolidimin e sistemit demokratik dhe sovranitetit shtetëror”.
Menfi paralajmëroi se ekzistenca e përfaqësimeve të shumta ushtarake në Libi “na vendos përballë një përgjegjësie kombëtare që nuk mund të tolerojë shtyrje të mëtejshme”.
Libia ka mbetur prej vitesh e ndarë politikisht mes administratave rivale në lindje dhe perëndim të vendit, ndërsa përpjekjet e përsëritura për organizimin e zgjedhjeve mbarëkombëtare kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi bazën kushtetuese dhe kriteret e pranueshmërisë së kandidatëve.




















