Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar publikisht për herë të parë se ka vendosur armë operacionale në orbitën e Tokës, duke shënuar një ndryshim historik në transparencën e Uashingtonit rreth aftësive të tij ushtarake në hapësirë.
"Sot, ne vazhdojmë të sigurojmë që të mbetemi të gatshëm për të përballuar sfidën e kërcënimeve në zhvillim kudo që ato ekzistojnë," tha të hënën Sekretari i Forcave Ajrore, Troy Meink, në Konferencën Ajrore, Hapësirë dhe Kibernetike në shtetin e Maryland, afër Washingtonit, DC. "Kjo është arsyeja pse Forca Hapësinore tani ka armë të kontrollit të hapësirës në orbitë të afta për të mbrojtur forcën e përbashkët kundër veprimeve kundërshtare armiqësore".
Meink, departamenti i të cilit mbikëqyr si Forcën Ajrore të ShBA-së ashtu edhe Forcën Hapësinore të ShBA-së, nuk pranoi ta zbulojë datën e vendosjes operacionale, aftësitë e sistemit ose nëse armët orbitale mbështeten në ndikimet kinetike, energjinë e drejtuar ose mekanizmat e luftës elektronike dhe kibernetike.
Pas fjalimit të tij, Meink u tha gazetarëve se pranimi publik ishte i qëllimshëm dhe terminologjia "e menduar shumë mirë" për të përforcuar parandalimin ushtarak, ndërsa shpjegoi pse detaje të mëtejshme mbeten të klasifikuara.
"Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të ruajmë dominimin tonë, jo vetëm në ajër, por në hapësirë. Kështu që na është dashur të ndërmarrim hapa për t'u siguruar që kur jemi të kërcënuar, ne mund të kujdesemi për këtë", shtoi Meink.
Zbulimi vjen mes konkurrencës ushtarake në rritje në orbitë që përfshin SHBA-në, Kinën dhe Rusinë, të cilat të gjitha kanë zhvilluar aftësi kundër-hapësirës.
Ai gjithashtu përkon me përpjekjet e administratës Trump për të ndërtuar sistemin e mbrojtjes raketore Golden Dome, i cili pritet të përfshijë sensorë dhe interceptorë të bazuar në hapësirë, të aftë për të zbuluar dhe shkatërruar raketa gjatë fazave të ndryshme të fluturimit.
Traktati i Hapësirës së Jashtme i vitit 1967 ndalon vendosjen e armëve bërthamore dhe armëve të tjera të shkatërrimit në masë në orbitë, por nuk ndalon në mënyrë eksplicite armët konvencionale në hapësirë.
Ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar se konfirmimi publik i dislokimit mund t'i inkurajojë fuqitë rivale t'i zgjerojnë arsenalet e tyre orbitale, duke përshpejtuar një garë armësh në një zonë gjithnjë e më jetike për komunikimet, navigimin, mbledhjen e inteligjencës dhe operacionet ushtarake.






















