Kongresi i ShBA-së pritet të shfuqizojë sanksionet e Aktit të Cezarit ndaj Sirisë

Një sërë sanksionesh amerikane janë hequr tashmë, përfshirë edhe heqjen nga lista e sanksioneve të OKB-së dhe ShBA-së të disa zyrtarëve të lartë sirianë të lidhur me terrorizmin.

By
Kongresi i ShBA-së pritet të shfuqizojë sanksionet e Aktit të Cezarit ndaj Sirisë / AA

Kongresi amerikan pritet të shfuqizojë sanksionet e Aktit të Cezarit ndaj Sirisë, sipas një dokumenti që tregon se dispozita është përfshirë në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për Vitin Fiskal 2026.

Legjislacioni do të heqë kufizimet që synonin ndëshkimin e regjimit të tashmë rrëzuar të Bashar al-Asadit për krime lufte.

“‘Caesar Syria Civilian Protection Act of 2019’ … shfuqizohet”, thuhet në draft-dokument.

Projektligji duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve për t’u bërë ligj.

Megjithatë, shfuqizimi do të jetë i kushtëzuar me disa kërkesa.

Sipas dokumentit, presidenti i ShBA-së duhet t’u raportojë komisioneve përkatëse të Kongresit fillimisht brenda 90 ditëve, e më pas çdo 180 ditë për katër vjet, duke vërtetuar se Siria po ndërmerr hapa të prekshëm për të eliminuar DAESh-in dhe grupet e tjera terroriste; se të drejtat e pakicave respektohen; se vendi nuk po ndërmerr veprime ushtarake kundër fqinjëve; se po lufton pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit; se po i ndjek penalisht krimet kundër njerëzimit të kryera nga ish-regjimi dhe se po ndërmerr hapa për të frenuar prodhimin e drogës.

Nëse presidenti vëren gjatë dy periudhave raportimi se këto kushte nuk po përmbushen, sanksionet mund të rivendosen.

Dokumenti përfshin gjithashtu dispozita shtesë lidhur me Sirinë.

Sipas një seksioni, Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së duhet t’i dorëzojë Kongresit raporte mbi qendrat e ndalimit të DAESh-it në Siri.

Po ashtu, Departamenti i Mbrojtjes së bashku me Komandën Qendrore të ShBA-së duhet të paraqesin një raport mbi statusin e konsolidimit të forcave amerikane bazuar në kushte, pozicionet e bazave dhe aktivitetet në Siri.

I miratuar në vitin 2019, Aktit i Cezarit vendosi sanksione të gjera sekondare që ndalonin entitete amerikane dhe të huaja të bashkëpunonin me qeverinë siriane ose me projektet e rindërtimit, duke synuar abuzimet e të drejtave të njeriut dhe përdorimin e armëve kimike nga Asadi.

Një sërë sanksionesh amerikane janë hequr tashmë, përfshirë edhe heqjen nga lista e sanksioneve të OKB-së dhe ShBA-së të disa zyrtarëve të lartë sirianë të lidhur me terrorizmin. Heqja e sanksioneve të mbetura kërkon veprim të Kongresit, megjithatë administrata mund t’i pezullojë për periudha 180-ditore, siç bëri në nëntor.

Presidenti Donald Trump e nisi procesin e heqjes së sanksioneve amerikane pas një takimi me udhëheqësin sirian Ahmed al-Sharaa në Arabinë Saudite në maj. Ai njoftoi heqjen e sanksioneve pas takimit dhe më pas nënshkroi një urdhër ekzekutiv në qershor për t’i hequr ato zyrtarisht.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së mbështeti qeverinë e re siriane duke revokuar emërtimin si Organizatë e Huaj Terroriste për Frontin al-Nusra, i njohur gjithashtu si Hayat Tahrir al-Sham, në korrik, dhe duke e hequr Shara’an nga lista e Terroristëve Globalë të Përcaktuar Specialë më 7 nëntor.