Fidan takon Mucunskin dhe Konakoviqin në kuadër të Platformës Ballkanike të Paqes në Istanbul

Ministrat zhvilluan bisedime të detajuara për zhvillimet rajonale dhe globale, ndërsa shprehën angazhimin e përbashkët për një rajon të qëndrueshëm dhe prosperues.

By
Fidan takon Mucunskin dhe Konakoviqin në kuadër të Platformës Ballkanike të Paqes në Istanbul / AA

Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinës, Timço Mucunski dhe Elmedin Konakoviq, zhvilluan një takim me homologun e tyre turk, Hakan Fidan, në prag të takimit të dytë të Platformës Ballkanike të Paqes në Istanbul.

“Biseduam për marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë investuese, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në disa fusha me interes të përbashkët. Konfirmuam bashkëpunimin e shkëlqyer politik dhe miqësinë tradicionale ndërmjet dy vendeve”, shkroi kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunuski.

Mucunski shtoi se gjatë bisedimeve dy palët konfirmuan gjithashtu aleancën e fortë në kuadër të NATO-s, si dhe angazhimin e përbashkët për një rajon të qëndrueshëm dhe prosperues, mbështetjen për iniciativat rajonale dhe bashkëpunimin multilateral.

Ministria e Punëve të Jashtme të BeH-së përmes një njoftimi tha se Konakoviq shprehu mirënjohje të thellë ndaj Fidanit për qasjen e tij vizionare dhe përkushtimin personal në themelimin e Platformës Ballkanike të Paqes, një iniciativë e orientuar drejt forcimit të stabilitetit rajonal, ndërlidhjes dhe bashkëpunimit.

Ministrat zhvilluan bisedime të hollësishme për zhvillimet globale dhe rajonale, me theks të veçantë në situatën aktuale politike në Bosnjë e Hercegovinë.

Takimi konfirmoi përkushtimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale mes Bosnjë e Hercegovinës dhe Türkiyes, të ndërtuara mbi dekada partneriteti të ngushtë, besimi të ndërsjellë dhe përkushtimi të përbashkët ndaj stabilitetit rajonal, si dhe mbi rëndësinë e vazhdueshme të rrugës evropiane të BeH-së.

Gjatë takimit, Konakoviq i përcolli Fidanit një ftesë për të vizituar Bosnjë e Hercegovinën, duke theksuar lidhjet e forta dhe dialogun e vazhdueshëm politik mes dy vendeve.

Dy diplomatët diskutuan gjithashtu situatën në Gaza, veçanërisht në kontekstin e Komitetit për Paqe, themelues i të cilit është presidenti Recep Tayyip Erdoğan. Kjo iniciativë u vlerësua si një mundësi historike për zbutjen e vuajtjeve afatgjata të popullit të Gazës, adresimin e nevojave urgjente humanitare dhe kontributin në vendosjen e një paqeje të qëndrueshme, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në rajon.