| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
BE-ja thotë se 6 shtete anëtare mund të kërkojnë përjashtim nga pakti për migracionin
“Bullgaria, Çekia, Estonia, Kroacia, Austria dhe Polonia përballen me një situatë të rëndësishme migratore për shkak të presioneve të akumuluara gjatë pesë viteve të fundit,” tha Komisioni Evropian.
BE-ja thotë se 6 shtete anëtare mund të kërkojnë përjashtim nga pakti për migracionin
BE-ja thotë se 6 shtete anëtare mund të kërkojnë përjashtim nga pakti për migracionin / AA
12 Nëntor 2025

Gjashtë vende: Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Kroacia, Austria dhe Polonia,  mund të kërkojnë përjashtim të plotë ose të pjesshëm nga Pakti i BE-së për Migracionin dhe Azilin, që pritet të hyjë në fuqi në mesin e vitit 2026, njoftoi Komisioni Evropian.

“Bullgaria, Çekia, Estonia, Kroacia, Austria dhe Polonia përballen me një situatë të rëndësishme migratore për shkak të presioneve të akumuluara të pesë viteve të fundit. Ato do të kenë mundësinë t’i kërkojnë Këshillit që t’u japë një ulje të plotë ose të pjesshme të kontributeve të tyre në ‘Fondin e Solidaritetit’ për vitin e ardhshëm,” thuhet në deklaratën e Komisionit të martën.

Sipas Fondit të Solidaritetit, shtetet anëtare pritet të kontribuojnë në menaxhimin e kufijve të bllokut përmes rishpërndarjes së migrantëve, mbështetjes financiare ose masave alternative, ose një kombinimi të këtyre masave.

Komisioni gjithashtu vuri në dukje se Greqia, Administrata Greko-Qipriote, Spanja dhe Italia janë “nën presion migrator për shkak të nivelit të lartë dhe të pabarabartë të mbërritjeve”, duke shtuar se ato do të kenë të drejtë të përdorin fondin.

“Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Estonia, Irlanda, Franca, Kroacia, Letonia, Lituania, Holanda, Polonia dhe Finlanda janë në rrezik të presionit migrator, qoftë për shkak të numrit të lartë të mbërritjeve vitin e kaluar, vështirësive të vazhdueshme në sistemet e pritjes ose kërcënimit të ‘instrumentalizimit të migracionit’, që mund të krijojë detyrime të pabarabarta në vitin e ardhshëm,” thuhet më tej.

Komisioni theksoi se këto vende do të kenë prioritet në qasjen ndaj “Kutisë së Mbështetjes së Migracionit të BE-së”, e cila ofron asistencë teknike dhe financiare për të lehtësuar presionin.

Gjithashtu, njoftoi se do të nisë një tender prej 250 milionë eurosh (289 milionë dollarë) për të mbështetur blerjen e droneve dhe sistemeve kundër dronëve, për të ndihmuar shtetet që përballen me “kërcënime hibride dhe shtim të shkeljeve me dronë”.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë