Më 15 shtator 1957, 68 vjet më parë nisi me punë Universiteti Shtetëror i Tiranës në Shqipëri.
Në ditën e përurimit, mjediset u hapën jo vetëm për studentë e pedagogë, por edhe për të gjithë banorët e Tiranës, të cilët vizituan fakultetet, katedrat dhe laboratorët.
Në fillesat e tij, Universiteti Shtetëror i Tiranës kishte 6 fakultete. Zanafilla për ngritjen e institucionit të parë të arsimit të lartë në Shqipëri, i përket vitit 1946, me hapjen e Institutit të Lartë Pedagogjik dyvjeçar dhe në vitin 1947, me hapjen e Institutit të Shkencave.
Universiteti u themelua me vendim të Këshillit të Ministrave më 30 maj 1957. Gjatë viteve 1946-1956 funksiononin në Tiranë gjashtë institute të larta; Instituti Pedagogjik, Instituti Politeknik, Instituti Mjekësor, Instituti Bujqësor, Instituti Ekonomik dhe Instituti Juridik.
Mbi bazën e shkrirjes së këtyre instituteve, u krijua Universiteti Shtetëror i Tiranës, ku një numër i madh profesorësh të kualifikuar në universitete të huaja dhanë kontributin e tyre në përgatitjen e gjeneratave të reja.






















