| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Raportuesja speciale e OKB-së u bën thirrje shteteve të Mesdheut të mbrojnë Flotiljen “Sumud”
Francesca Albanese u kërkon shteteve të ndihmojnë në “thyerjen e rrethimit gjenocidal të Izraelit ndaj Gazës”.
Raportuesja speciale e OKB-së u bën thirrje shteteve të Mesdheut të mbrojnë Flotiljen “Sumud”
Raportuesja speciale e OKB-së u bën thirrje shteteve të Mesdheut të mbrojnë Flotiljen “Sumud” / Reuters

Raportuesja speciale e OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze, Francesca Albanese, u bëri thirrje të hënën vendeve të Mesdheut të mbrojnë një flotilje ndihmash që po shkon drejt Gazës, pasi aktivistët raportuan praninë e mjeteve të paidentifikuara pranë kolonës së tyre në ujërat ndërkombëtare.

“Larg duart nga flotila”, shkroi Albanese në X, duke u bërë thirrje shteteve mesdhetare të “mbrojnë anijet civile që po përpiqen të thyejnë rrethimin gjenocidal të Izraelit ndaj Gazës”.

Ajo gjithashtu u kërkoi qeverive të “thyejnë rrethimin”, “t’i japin fund bashkëpunimit me aparteidin” dhe “të bëjnë të mundur drejtësinë”.

Albanese i bëri komentet duke ripostuar një mesazh nga flotilja globale “Sumud”, e cila tha: “Janë vërejtur mjete të paidentifikuara pranë flotës sonë”.

Në njoftimin e saj të publikuar të dielën në mbrëmje, flotilja deklaroi se mjete detare të paidentifikuara, skafe të shpejta dhe dronë u zbuluan pranë kolonës në ujërat ndërkombëtare të Mesdheut, ndërsa misioni i ndihmave vazhdonte drejt Gazës.

Ky zhvillim erdhi pasi flotila njoftoi mbërritjen në ujërat ndërkombëtare të Detit Mesdhe.

Misioni pranveror 2026 i flotiljes globale “Sumud”, që synon të thyejë bllokadën izraelite ndaj Rripit të Gazës dhe të dërgojë ndihma humanitare jetike, u ndalua nga ushtria izraelite pranë brigjeve të Kretës mes 29 dhe 30 prillit.

Flotilja e ndihmave u sulmua më 30 prill pranë Kretës, rreth 600 milje detare larg destinacionit të saj.

Anijet e para të flotiljes, që transportonin ndihma humanitare, u nisën nga Barcelona më 12 prill, ndërsa flota kryesore lundroi nga ishulli italian i Siçilisë më 26 prill, me synimin për të thyer bllokadën shumëvjeçare të Izraelit.

Izraeli ka vendosur një bllokadë të ashpër ndaj Rripit të Gazës që nga viti 2007, duke lënë 2,4 milionë banorët e territorit në prag urie.

Ushtria izraelite nisi një ofensivë brutale dyvjeçare ndaj Gazës në tetor 2023, duke vrarë më shumë se 72 mijë njerëz, plagosur mbi 172 mijë të tjerë dhe duke shkaktuar shkatërrime masive në territorin e rrethuar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë