Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje drejtpërdrejtë udhëheqësve iranianë që të lirojnë tetë gra për të cilat ai tha se përballen me ekzekutim, duke e paraqitur këtë si një gjest vullneti të mirë përpara një raundi të ri negociatash.
“Do ta vlerësoja shumë lirimin e këtyre grave,” shkroi Trump në platformën e tij të rrjeteve sociale Truth Social, duke shpërndarë një raport lajmesh që pretendonte se Irani po përgatitej të var tetë gra.
“Ju lutem mos u bëni asnjë dëm. Do të ishte një fillim i shkëlqyer për negociatat tona”, shtoi ai.
Irani nuk reagoi menjëherë ndaj kësaj thirrjeje dhe nuk konfirmoi planet e raportuara për ekzekutim.
Ky postim vjen në një kohë kur Uashingtoni dhe Teherani pritet të rifillojnë negociatat në Islamabad.
Zv/presidenti i ShBA-së, JD Vance, së bashku me të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të udhëtojnë drejt Pakistanit për një raund të dytë bisedimesh, megjithëse Irani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen, pasi ka kërkuar heqjen e bllokadës detare të ShBA-së si kusht paraprak.
Armëpushimi dyjavor, i cili sipas Trump përfundon nesër në mbrëmje me kohën e Washingtonit, është përshkruar nga presidenti si i shkelur “shumë herë” nga Irani. Ai tha se zgjatja e tij është “shumë e pamundur” nëse nuk arrihet një marrëveshje. paraprakisht.




















