Mbi 60 organizata kërkojnë pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael
Letra thekson se BE-ja tashmë ka konstatuar se Izraeli ka shkelur Nenin 2 të kësaj marrëveshjeje, i cili lidhet me respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike.
Më shumë se 60 organizata humanitare dhe sindikata i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) të pezullojë marrëveshjen e asociimit me Izraelin, të ndalojë tregtinë me vendbanimet ilegale dhe të pezullojë të gjitha transferimet e armëve.
Një letër e përbashkët e lëshuar nga “Amnesty International” ka kërkuar nga BE-ja “të zbatojë masat e vonuara prej kohësh të propozuara nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në shtator të vitit 2025, veçanërisht pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael”.
Ajo kërkon gjithashtu hapa shtesë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë ndalimin e tregtisë me vendbanimet e paligjshme izraelite dhe ndërprerjen e çdo transferimi apo tranziti armësh drejt Izraelit.
Sipas saj, BE-ja tashmë ka konstatuar se Izraeli ka shkelur Nenin 2 të kësaj marrëveshjeje, i cili lidhet me respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike. Zhvillimet e fundit në Palestinë dhe Liban, thuhet më tej, e kanë thelluar këtë shkelje dhe kanë shkaktuar vuajtje të mëdha.
Dokumenti kritikon edhe ligjin izraelit për dënimin me vdekje ndaj palestinezëve, duke e cilësuar atë si “shkelje të rëndë të së drejtës për jetë dhe gjykim të drejtë të palestinezëve”, si dhe pjesë të një “grumbulli gjithnjë e më të madh ligjesh dhe politikash diskriminuese të zbatuara nga autoritetet izraelite ndaj palestinezëve”.
Ajo përmend gjithashtu përkeqësimin e situatës në territoret e pushtuara, përfshirë zgjerimin e vendbanimeve, zhvendosjet dhe dhunën në Bregun Perëndimor të pushtuar, si dhe ndalimet masive dhe abuzimet e raportuara ndaj palestinezëve.
Letra paralajmëron kundër një krize humanitare të vazhdueshme në Gazë dhe rreziqe në rritje për përhapje në Liban, duke ngritur shqetësime për paqëndrueshmëri rajonale më të gjerë dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Organizatat nënvizojnë se këto zhvillime vijnë pas dekadash deklaratash të dobëta nga BE-ja dhe thirrjesh për “zgjidhjen me dy shtete”, të cilat, sipas tyre, janë shpërfillur pa pasoja nga autoritetet izraelite.
Duke përshëndetur qëndrimet e Spanjës, Irlandës, Sllovenisë, Belgjikës dhe Holandës për ndalimin e importeve nga vendbanimet e paligjshme, ato i bëjnë thirrje BE-së të veprojë njësoj, në përputhje me qëndrimin e saj të kahershëm që i konsideron këto vendbanime si të paligjshme dhe pengesë për paqen.
Megjithatë në Këshillin e BE-së ende nuk është arritur shumica e nevojshme për pezullimin e pjesës tregtare të marrëveshjes, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga shtetet anëtare, eurodeputetët dhe shoqëria civile.
Sipas letrës, mosveprimi rrezikon të bëjë të pavlefshëm në praktikë klauzolën për të drejtat e njeriut, të dëmtojë besueshmërinë e BE-së dhe të nxisë ndjenjën e pandëshkueshmërisë.
Në përfundim, organizatat kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të të gjitha dërgesave dhe tranziteve të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake drejt Izraelit, duke theksuar se ky është një detyrim që buron nga e drejta e BE-së dhe ajo ndërkombëtare.
Ato theksojnë se situata aktuale është rezultat i dekadave të mungesës së llogaridhënies dhe vullnetit politik për të vepruar.
Dokumenti potencon se masat e kërkuara nga organizatat nënshkruese nuk janë vetëm zgjedhje politike, por edhe detyrime ligjore.
“Populli i Palestinës dhe ai i Libanit meritojnë veprim dhe llogaridhënie, jo shqetësime dhe ngushëllime”, përfundon letra.