Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, e theksoi të mërkurën nevojën për një parandalim ushtarak më të fortë për ta garantuar të ardhmen e aleancës, ndërsa vlerësoi investimet në rritje të Türkiyes në sektorin e mbrojtjes.
Duke folur në panelin “Përqafimi i ndryshimit, mbrojtja e së nesërmes: Türkiye dhe NATO-ja në një peizazh sigurie në ndryshim”, organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Türkiyes në Bruksel, Shekerinska tha se ruajtja e sigurisë në gjithë aleancën kërkon angazhim afatgjatë dhe rritje të kapaciteteve mbrojtëse.
“Është e qartë se nuk ka rrugë të shkurtra. Për ta vazhduar mbrojtjen e aleancës sonë, na duhet parandalim i fortë ushtarak dhe një qëndrim i fuqishëm mbrojtës”, tha ajo.
Ajo theksoi se rritja e shpenzimeve për mbrojtjen është thelbësore “jo vetëm tani, por edhe për vitet që vijnë”, duke shtuar se kapacitetet më të forta ushtarake mbeten mënyra më efektive për t'i parandaluar konfliktet.
Duke vlerësuar angazhimet e Ankarasë në mbrojtje, Shekerinska tha: “Rritja e planifikuar e shpenzimeve nga Türkiye është mbresëlënëse dhe demonstron qartë angazhimin tuaj jo vetëm ndaj aleancës, por edhe ndaj sigurisë.”
Ajo theksoi se Türkiye prej kohësh e ka tejkaluar objektivin e NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, edhe në periudha kur shumë aleatë nuk e arrinin këtë nivel.
“Ne gjithmonë theksojmë se Türkiye ka qenë një aleate e paçmueshme për gati 75 vjet, duke kontribuar në shumë mënyra për sigurinë tonë të përbashkët, në det, në tokë dhe në ajër. Ajo ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO”, tha Shekerinska.
Ajo shtoi se Ankaraja mbetet e përkushtuar për rritje të mëtejshme të investimeve në përputhje me objektivat më të gjera të aleancës.
“Ky është një samit vendimtar ku do të tregojmë se po zbatojmë vendimet e marra në Hagë vitin e kaluar. Duhet të tregojmë se po shpenzojmë dhe investojmë më shumë në mbrojtje”, deklaroi ajo.
Duke bërë thirrje për një aleancë më të fortë të mbështetur nga bashkëpunimi transatlantik, Shekerinska tha se NATO përballet me “rreziqe reale dhe afatgjata”, duke përmendur kërcënime që shtrihen nga Arktiku deri në Mesdhe dhe rajonin e Detit të Zi.
Ajo përmendi sulmet me raketa dhe dronë, kërcënimet kibernetike, paqëndrueshmërinë në fqinjësinë jugore të NATO-s dhe shqetësimet në rritje të sigurisë që lidhen me zhvillimet ushtarake të rivalëve globalë.
Shekerinska nënvizoi gjithashtu urgjencën për rritjen e prodhimit të industrisë së mbrojtjes, duke thënë se aleatët e NATO-s duhet ta përshpejtojnë zhvillimin e kapaciteteve konkrete dhe të sigurojnë që parandalimi të mbetet i besueshëm.
Pas fjalimit të saj, pjesëmarrësit në panel theksuan kontributin afatgjatë të Türkiyes në NATO dhe rolin e saj në përshtatjen e aleancës me sfidat e reja të sigurisë.
Mes folësve ishin përfaqësuesi i përhershëm i Türkiyes në NATO, ambasadori Basat Oztürk; kryetari i Komisionit të Mbrojtjes Kombëtare në parlamentin turk dhe ish-ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar; ndihmëssekretarja e përgjithshme në detyrë e NATO-s për operacionet, Burcu San; si dhe gjeneralmajori i Forcave Ajrore belge Harold Van Pee.

























