Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut diskutojnë për projektet ndërkufitare në rajonin e Ohrit

Ministrat Gonxhja dhe homologu Lutkov diskutuan promovimin ndërkombëtar, transportin turistik ujor dhe bashkëpunimin kulturor rajonal.

By
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut diskutojnë për projektet ndërkufitare në rajonin e Ohrit / User Upload

Në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2026, ministri i Turizmit, i Kulturës dhe i Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim me ministrin e Kulturës dhe të Turizmit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Lutkov.

Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan mbi forcimin e partneritetit dypalësh në sektorin e turizmit dhe të kulturës, me fokus në promovimin e koordinuar të destinacioneve në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në Gjermani dhe Europë.

Një temë tjetër e rëndësishme ishte zhvillimi i transportit turistik ujor në Liqenin e Ohrit dhe përmirësimi i menaxhimit të flukseve turistike në pikat kufitare gjatë sezonit të lartë.

Ministrat biseduan gjithashtu për bashkëpunimin kulturor dhe projektet ndërkufitare në rajonin e Ohrit, me fokus në menaxhimin dhe promovimin e qëndrueshëm të pasurisë së UNESCO-s.

Sipas të dyja palëve, takimi përforcon angazhimin për zhvillimin e destinacioneve rajonale të integruara dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ofertës turistike të rajonit në tregun ndërkombëtar.

Gjatë qëndrimit në panair, të dy ministrat zhvilluan takime me partnerë të industrisë ndërkombëtare të turizmit dhe transportit ajror, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe promovimit të rajonit si destinacion turistik.