| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye: Shpërbërja e SDF-së, hap i rëndësishëm për stabilitetin e Sirisë
Drejtori i Komunikimeve u shpreh se ky zhvillim e forcon autoritetin shtetëror, mbështet një proces politik gjithëpërfshirës dhe përputhet me vizionin e Türkiyes për një rajon pa terror.
Türkiye: Shpërbërja e SDF-së, hap i rëndësishëm për stabilitetin e Sirisë
Türkiye: Shpërbërja e SDF-së, hap i rëndësishëm për stabilitetin e Sirisë / َAA

Shpërbërja e Forcave Demokratike Siriane (SDF) përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të autoritetit shtetëror në gjithë Sirinë dhe avancimit të një procesi politik gjithëpërfshirës, deklaroi Türkiye të mërkurën.

Që nga fillimi i krizës siriane, Türkiye ka mbajtur “një qëndrim parimor dhe të vendosur” kundër përpjekjeve të grupeve terroriste dhe ndërhyrjeve të jashtme për ta ndarë vendin, deklaroi Drejtori i Komunikimeve, Burhanettin Duran, në platformën turke të medieve sociale NSosyal.

Ai tha se kjo qasje, e ndjekur nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, mbështetet në parimin se “vetëm vullneti i popullit sirian duhet ta formësojë të ardhmen e Sirisë”.

Duran e cilësoi shpërbërjen e SDF-së si “një zhvillim të rëndësishëm” për forcimin e autoritetit shtetëror në të gjithë vendin dhe bashkimin e segmenteve të ndryshme të shoqërisë mbi “një bazë të përbashkët politike”.

Ai shtoi se vazhdimi i hapave gjithëpërfshirës nga Damasku ka “rëndësi të madhe” për arritjen e një stabiliteti të qëndrueshëm.

Duran tha se vizioni i Türkiyes për një “Türkiye pa terror” dhe një “rajon pa terror” pasqyron të njëjtën qasje rajonale. Ai theksoi rëndësinë e krijimit të një rendi rajonal ku dallimet etnike, sektare dhe shoqërore të mos shndërrohen në mjete konflikti, organizatat terroriste të mos ushtrojnë ndikim dhe kufijtë e sovraniteti të mbrohen.

“Türkiye do të vazhdojë ta mbështesë rimëkëmbjen e Sirisë dhe popullin sirian që të jetojë në paqe e mirëqenie, me të gjitha segmentet e shoqërisë, përballë llogarive dhe skenarëve të pista”, tha ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë