BOTA
2 minuta leximi
Sanchez kërkon përjashtimin e Izraelit dhe Rusisë nga garat sportive “deri sa të ndalojë barbaria”
“Pse Rusia u përjashtua pas pushtimit të Ukrainës, ndërsa Izraeli nuk përjashtohet pas pushtimit të Gazës?”, pyet Pedro Sanchez.
Sanchez kërkon përjashtimin e Izraelit dhe Rusisë nga garat sportive “deri sa të ndalojë barbaria”
Sanchez kërkon përjashtimin e Izraelit dhe Rusisë nga garat sportive “deri sa të ndalojë barbaria” / Reuters
15 Shtator 2025

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, të hënën bëri thirrje për përjashtimin e Izraelit dhe Rusisë nga garat ndërkombëtare sportive “deri sa të ndalojë barbaria.”

“Qëndrimi ynë është i qartë dhe i vendosur. Deri sa të ndalojë barbaria, as Rusia dhe as Izraeli nuk duhet të marrin pjesë në gara ndërkombëtare,” tha Sanchez në një konferencë për shtyp.

Duke theksuar se Izraeli dhe Rusia minojnë të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar, ai shtoi se shumica dërrmuese e qytetarëve spanjollë, pavarësisht nga mënyra se si votojnë, ndajnë të njëjtin qëndrim të bazuar në logjikën e zakonshme.

“Pse Rusia u përjashtua pas pushtimit të Ukrainës, ndërsa Izraeli nuk përjashtohet pas pushtimit të Gazës?” pyeti Sanchez, duke inkurajuar organizatat sportive të shqyrtojnë nëse është etike që Izraeli të vazhdojë të marrë pjesë në gara ndërkombëtare.

Komentet e tij erdhën pasi faza finale e garës së çiklizmit La Vuelta u anulua të dielën pas protestave propalestineze që penguan garën në qendër të Madridit.

Edicioni i 80-të i ngjarjes kryesore të çiklizmit në Spanjë u ndërpre rreth 57 kilometra para vijës së finishit, pasi demonstruesit bllokuan rrugët përgjatë itinerarit të planifikuar.

“Ndjejmë, siç thashë dje, admirim dhe respekt të thellë për sportistët tanë (…) Ndiejmë gjithashtu respekt të madh dhe admirim të thellë për shoqërinë civile spanjolle që mobilizohet kundër padrejtësisë dhe mbron idetë e saj në mënyrë paqësore,” tha Sanchez.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë