Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi të hënën një rezolutë të hartuar nga ShBA-ja, e cila krijon një Bord të ri tranzitor të Paqes (BoP) dhe autorizon një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) për të mbikëqyrur qeverisjen, rindërtimin dhe përpjekjet e sigurisë në Rripin e Gazës.
Rezoluta mori 13 vota pro, ndërsa Kina dhe Rusia abstenuan.
Duke folur përpara votimit, i dërguari amerikan në OKB, Mike Waltz, i tha Këshillit se “sot, ne kemi fuqinë të shuajmë flakët dhe të ndriçojmë një shteg drejt paqes”.
“Ai shteg është drafti i rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së përpara nesh, një plan i guximshëm dhe pragmatik, i lindur nga plani gjithëpërfshirës 20-pikësh i Presidentit (Donald) Trump për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, i ngjizur në zjarrin e diplomacisë me Katarin, Egjiptin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Türkiyen, Pakistanin dhe Indonezinë,” tha ai.
Waltz u shpreh se rezoluta “përcakton një rrugë të mundshme drejt vetëvendosjes palestineze pasi Autoriteti Palestinez të ketë përfunduar reformat e nevojshme, ku raketat do t’i lënë vendin degëve të ullirit dhe ku do të shfaqet një horizont politik”.
Duke iu referuar shqetësimeve të ngritura nga Këshilli, si dhe projekt-rezolutës kundër të Rusisë, ai tha: “Ne i dëgjojmë shqetësimet mbi mandatet, por hezitimi i kolegëve është armiku i vërtetë”.
Pas votimit, ai mirëpriti miratimin e rezolutës dhe tha se ajo “përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm drejt një Gaza të qëndrueshme”.
“Bordi i Paqes, i cili do të udhëhiqet nga Presidenti Trump, mbetet gurthemeli i përpjekjes sonë,” tha ai, duke shtuar se ISF-ja “do të stabilizojë dhe sigurojë mjedisin e sigurisë, do të mbështesë çmilitarizimin e Gazës, çmontimin e infrastrukturës terroriste, çaktivizimin e armëve dhe ruajtjen e sigurisë së civilëve palestinezë”.
Rezoluta përcakton se prania e BoP-së dhe ISF-së “e autorizuar nga kjo rezolutë do të mbetet e tillë deri më 31 dhjetor 2027, me mundësi veprimi të mëtejshëm nga Këshilli, dhe se çdo ri-autorizim i mëtejshëm i ISF duhet të bëhet në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Egjiptin dhe Izraelin, si dhe shtetet e tjera anëtare që vazhdojnë të punojnë me ISF”.
I dërguari i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, argumentoi se “komponentët kyç” të lidhur me çështjet juridike nuk janë marrë në konsideratë.
“Ajo gjithashtu nuk ka asnjë qartësi mbi afatet kohore për transferimin e kontrollit të Gazës te Autoriteti Palestinez, as edhe siguri rreth Bordit të Paqes dhe forcës kombëtare të stabilizimit, ISF, e cila, sipas tekstit të rezolutës së miratuar, duket se mund të veprojë plotësisht e pavarur, pa marrë parasysh qëndrimin apo opinionin e Ramallahut”, shtoi ai.
Ai theksoi më tej se rezoluta “të kujton praktikat koloniale dhe Lidhjen e Kombeve, Mandatin Britanik për Palestinën, kur opinioni i vetë palestinezëve nuk merrej parasysh”.
Nebenzia gjithashtu vuri në dukje se Rusia vendosi të mos paraqesë një draft-alternativë për shkak të mbështetjes së madhe nga vendet arabe dhe myslimane.
I dërguari i Kinës në OKB, Fu Cong, ndau shqetësime të ngjashme dhe tha se rezoluta “mungon në shumë aspekte dhe është thellësisht shqetësuese,” duke e përshkruar atë si “të paqartë dhe jo të qartë në shumë elemente kritike”.
“Drafti përcakton aranzhimet e qeverisjes së pasluftës për Gazën, por duket sikur Palestina është pothuajse e padukshme në të, dhe sovraniteti e zotërimi palestinez nuk pasqyrohen plotësisht”, tha ai.



















