Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, dënoi sot vrasjen e një tjetër ushtari të Forcës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) më herët këtë javë dhe përsëriti thirrjet e bllokut për përgjegjësi.
Në një deklaratë, Kallas tha se BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve t’i respektojnë plotësisht kushtet e marrëveshjes ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut libanez dhe të refuzojnë “çdo kusht shtesë nga Hezbollahu”.
Deklarata theksoi se populli libanez po paguan një çmim humanitar dhe socio-ekonomik “të rëndë dhe të papranueshëm” si pasojë e përshkallëzimit të vazhdueshëm dhe sulmeve ajrore.
“BE-ja kërkon zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila bën thirrje për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit nga Izraeli dhe çarmatimin e grupeve të armatosura joshtetërore, përfshirë Hezbollahun”, tha ajo.
Kallas gjithashtu rikonfirmoi mbështetjen e plotë të BE-së për UNIFIL-in dhe mandatin e tij, duke thënë se BE-ja “dënon me forcë të gjitha sulmet kundër personelit të tij, përfshirë vrasjen e një tjetër ushtari të UNIFIL-it në sulmet e 4 qershorit, paqeruajtësit të shtatë që ka humbur jetën që nga marsi, dhe shpreh ngushëllimet e saj të thella për familjen e tij”.
“Vrasja e paqeruajtësve është shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe duhet të pasohet me përgjegjësi të plotë,” thuhet në deklaratë.



















