Republika e Kosovës ka arritur që deri më tani të digjitalizojë 320 shërbime për qytetarët dhe bizneset.
Kjo u bë e ditur në një aktivitet me rastin e shënimit të 23 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Publik ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të larta dhe punonjës të administratës në institucionet kosovare.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se gjatë vitit 2025 është shënuar avancim në zbatimin e reformës në administratës publike.
"65 për qind e aktiviteteve të planifikuara kanë shënuar progres të plotë ose të pjesshëm. Ndërsa, vetëm gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar dhe publikuar 74 shërbime të reja elektronike në E-Kosova duke e çuar në 320 numrin total të shërbimeve digjitale për qytetarët dhe bizneset", theksoi Kurti.
Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu tha se reforma në administratë publike dhe transformimi digjital janë dy faktorët kyç për një administratë më të mirë për qytetarët.
"Transformimi i administratës publike nuk është vetëm çështje teknologjie, mbi të gjitha është çështje njerëzish. Asnjë platformë, asnjë sistem dhe asnjë reformë, nuk mund të japë rezultate pa zyrtarët që e zbatojnë atë në praktikë. Prandaj, investimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë është investimi tek njerëzit që i shërbejnë shtetit dhe qytetarëve", theksoi Jagxhiu.
Aktiviteti u organizua me qëllim të vlerësimit të kontributit të shërbyesve publik në funksionimin e administratës publike, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët.
Në kuadër të aktivitetit u bë edhe ndarja e mirënjohjeve për shërbyesit civilë të dalluar.























