Kosova do të pajiset me armatim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) në vlerë prej 14 milionë dollarësh ose më shumë, kanë thënë burime nga Kongresi i ShBA-së.
Sipas mediumit amerikan REL, për këtë çështje, Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës.
Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve dhe i njëjti i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.
Neni 36(c) kërkon që administrata amerikane ta njoftojë Kongresin për disa shitje apo leje të propozuara të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.
Në dokumentin e Kongresit nuk jepen hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë leje. Njoftimi për furnizimin e Kosovës me armatim të ri amerikan vjen në kohën kur kongresistë amerikanë po bëjnë thirrje që Washingtoni ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Së fundmi, në shkurtin e vitit 2025, Kosova pranoi dronë të blerë nga ShBA-ja derisa muaj më vonë ushtria kosovare u furnizua edhe me autoblinda të blera në SHBA.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri. Procesi dhjetëvjeçar i transformimit të FSK-së në forca të armatosura nisi më 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore.






















