Kryediplomati turk: ShBA-ja dhe Irani po tregojnë fleksibilitet për marrëveshjen bërthamore
Në një intervistë për Financial Times, Fidan shpreh optimizëm të kujdesshëm për ringjalljen e bisedimeve ShBA–Iran, duke u bërë thirrje të dyja palëve të fokusohen rreptësisht te dosja bërthamore dhe të shmangin “një tjetër luftë në rajon”.
Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, ka deklaruar se si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Irani po shfaqin shenja fleksibiliteti në përpjekjet për të ringjallur një marrëveshje bërthamore, por ka paralajmëruar se zgjerimi i fushës së negociatave mund ta shtyjë rajonin drejt një konflikti të ri.
Në intervistën e publikuar të enjten nga Financial Times, Fidan tha se Uashingtoni ka sinjalizuar gatishmëri për të zbutur kërkesën e tij të kahershme që Irani të ndalë plotësisht pasurimin e uraniumit: një pikë kyçe bllokuese në bisedimet e mëparshme.
“Është pozitive që amerikanët duket se janë të gatshëm të tolerojnë pasurimin iranian brenda kufijve të përcaktuar qartë”, tha Fidan për FT-së.
Irani, nënshkrues i Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, ka këmbëngulur vazhdimisht se pasurimi është e drejtë sovrane e tij. Fidan tha se Teherani duket i gatshëm të pranojë kufizime të niveleve të pasurimit dhe inspektime të rrepta, të ngjashme me kushtet e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
“Iranianët tani e pranojnë se duhet të arrijnë një marrëveshje me amerikanët, dhe amerikanët e kuptojnë se iranianët kanë disa kufij. Është e pakuptimtë të përpiqesh t’i detyrosh”, tha ai.
“Zgjerimi i bisedimeve mund të rrezikojë marrëveshjen”
Megjithatë, Fidan lëshoi një paralajmërim të fortë kundër zgjerimit të negociatave për të përfshirë programin balistik të Iranit dhe mbështetjen e tij për grupe të armatosura rajonale.
“Nëse ShBA-ja këmbëngul që të adresohen të gjitha çështjet njëkohësisht… kam frikë se as dosja bërthamore nuk do të ecë përpara… dhe rezultati mund të jetë një tjetër luftë në rajon”, paralajmëroi ai.
Bisedimet indirekte mes të dërguarve amerikanë dhe zyrtarëve iranianë rifilluan javën e kaluar në Muskat, angazhimi i parë që nga përfshirja e Uashingtonit në luftën 12-ditore të Izraelit kundër Iranit në qershor. Të dyja palët e përshkruan takimin si konstruktiv dhe sinjalizuan se priten raunde të tjera.
Ndërsa kërkesat e mëparshme të ShBA-së përfshinin kufizime ndaj arsenalit raketor të Iranit dhe mbështetjes për grupe si Hezbollahu dhe Huthit, presidenti Donald Trump sugjeroi së fundmi se një marrëveshje vetëm për çështjen bërthamore mund të ishte “e pranueshme”.
Fidan tha se fuqitë rajonale, përfshirë Türkiyen, po punojnë mbi “ide kreative” për të adresuar shqetësimet më të gjera të sigurisë pa e rrëzuar procesin bërthamor. Ai theksoi se rindërtimi i besimit mes Iranit dhe fqinjëve të tij do të jetë thelbësor për çdo marrëveshje afatgjatë.
“Ekziston një hendek i madh besimi me vendet e rajonit dhe adresimi i këtij dimensioni është thelbësor”, përfundoi ai.