Hamas dorëzon trupin e një pengu tjetër izraelit në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza
Izraeli konfirmon se forcat ushtarake morën trupin nga ekipet e Kryqit të Kuq.
Grupi palestinez Hamas ka dorëzuar të enjten në mbrëmje trupin e një pengu tjetër izraelit, në kuadër të marrëveshjes për armëpushimin në Gaza, kanë konfirmuar autoritetet izraelite.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se forcat izraelite brenda Gazës kanë marrë trupin nga ekipet e Kryqit të Kuq dhe se ai do të transportohet në Izrael, ku do të pritet me një ceremoni ushtarake.
Më herët, ushtria izraelite deklaroi se trupi i pengut iu dorëzua forcave të saj nga ekipet e Kryqit të Kuq në jug të Gazës.
Hamas kishte njoftuar më herët gjatë ditës se do të dorëzonte trupin në mbrëmje, në zonën Morag, në veri të Khan Younis, në jug të Gazës.
Që prej fillimit të armëpushimit më 10 tetor, Hamas ka liruar 20 pengje izraelite të gjalla dhe ka dorëzuar trupat e 27 nga 28 pengjet, shumica prej tyre izraelitë. Megjithatë, Izraeli ka deklaruar se një nga trupat e dorëzuar nuk përputhej me asnjërin prej pengjeve në listën e tij.
Faza e parë e marrëveshjes për armëpushimin parashikon lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, si dhe rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë mbi 69.000 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 170.700 të tjerë në sulmet e tij në Rripin e Gazës.