Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për dënimin me burgim të përjetshëm për dy të akuzuarit e rastit “Banjska”, Bllagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviqin e ka dënuar me 30 vjet burgim.
Të akuzuarit janë dënuar nga drejtësia për sulmin e armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit që ndodhi më 24 shtator të vitit 2023 ku mbeti i vrarë zyrtari policor i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Sipas vendimit ata kanë qenë pjesë e grupit të serbëve, të armatosur rëndë, që fillimisht bllokoi urën në fshat, e më pas sulmoi policët që shkuan në vendngjarje për ta hequr kamionin nga rruga.
Gjatë sulmit të serbëve të armatosur përpos vrasjes së Afrim Bunjakut u plagosën edhe dy policë të tjerë.
Grupi serb sipas organeve të drejtësisë udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiq, i cili gjendet në arrati bashkë me shumicën e të akuzuarve të tjerë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi i sotëm për burgim të përjetshëm ndaj dy të akuzuarve për rastin “Banjska” dhe dënimi për 30 vjet burgim për të tretin dëshmon se të gjithë të përfshirët në sulmin e 2023-tës duhet të marrin dënime maksimale.
Ai ka theksuar se sulmi i 24 shtatorit 2023 ishte operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia, derisa ka kërkuar që kjo e fundit tani të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik.
"Ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 personash të identifikuar, pa përjashtim”, ka shkruar ministri.
Sveçla ka thënë se drejtësia për Banjskën do të përfundojë atëherë kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Millan Radoiçiqin.





















