| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Spanja nis hetim ndaj X, Meta dhe TikTok për përmbajtje abuzimi seksual të fëmijëve të bëra me IA
“Këto platforma po sulmojnë shëndetin mendor, dinjitetin dhe të drejtat e djemve dhe vajzave tona. Shteti nuk mund ta lejojë këtë. Pandëshkueshmëria e gjigantëve duhet të marrë fund”, tha Sanchez.
Spanja nis hetim ndaj X, Meta dhe TikTok për përmbajtje abuzimi seksual të fëmijëve të bëra me IA
Spanja nis hetim ndaj X, Meta dhe TikTok për përmbajtje abuzimi seksual të fëmijëve të bëra me IA / Reuters
17 Shkurt 2026

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka bërë të ditur se qeveria e tij do të hetojë kompanitë e platformave sociale X, Meta dhe TikTok lidhur me materiale të abuzimit seksual të fëmijëve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, me qëllim për të mbrojtur “shëndetin mendor, dinjitetin dhe të drejtat” e fëmijëve.

Sanchez në rrjetin social X njoftoi se qeveria do t’u kërkojë prokurorëve të hetojnë kompanitë e rrjeteve sociale për të përcaktuar nëse kanë kryer vepra penale duke lejuar që sistemet e tyre të inteligjencës artificiale të gjenerojnë dhe shpërndajnë materiale të abuzimit seksual të fëmijëve.

“Këto platforma po sulmojnë shëndetin mendor, dinjitetin dhe të drejtat e djemve dhe vajzave tona. Shteti nuk mund ta lejojë këtë. Pandëshkueshmëria e gjigantëve duhet të marrë fund”, tha Sanchez.

Kjo vjen pasi Sanchez këtë muaj njoftoi hapa të rinj për rregullimin e platformave të rrjeteve sociale dhe forcimin e mbrojtjes për të miturit, duke deklaruar se hapësirat digjitale kanë mundësuar veprimtari kriminale, dezinformim dhe përmbajtje të dëmshme.

Më herët, ai i ka përshkruar rrjetet sociale se janë shndërruar “në një lloj Perëndimi të Egër në një shtet të dështuar”.

Muajin e kaluar, Komisioni Evropian nisi një hetim ndaj kompanisë X të Elon Muskit dhe chatbot-it të tij Grok për sistemet e rekomandimit sipas Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), për shkak të imazheve me përmbajtje të seksualizuar.

Pas një sërë hetimesh nga vende evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, autoritetet irlandeze të martën njoftuan se kanë hapur një hetim të ri për mbrojtjen e të dhënave ndaj Grok-ut lidhur me imazhe të rreme të seksualizuara.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë