Presidenti turk: Shënjestrimi i anijeve tregtare dhe civile në Detin e Zi nuk sjell asnjë përfitim
Türkiye nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse të jetë e fortë, “si për t’i mbrojtur interesat e saj, ashtu edhe për t’ua shtrirë dorën e ndihmës vëllezërve të saj”, tha Recep Tayyip Erdoğan.
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, paralajmëroi të martën se shënjestrimi i anijeve tregtare dhe civile në Detin e Zi nuk sjell asnjë përfitim, duke iu referuar sulmeve të fundit të lidhura me luftën Rusi–Ukrainë.
Duke iu drejtuar Konferencës së 16-të të Ambasadorëve në kryeqytetin Ankara, Erdoğan tha se këto sulme kërcënojnë sigurinë e lundrimit në Detin e Zi dhe se Ankaraja u ka përcjellë paralajmërime të dyja palëve (Rusisë dhe Ukrainës) për këtë çështje.
Më herët, Türkiye i kishte cilësuar të papranueshme sulmet ndaj anijeve brenda zonës së saj ekskluzive ekonomike.
Erdoğan tha se Türkiye “nuk ka asnjë mundësi tjetër veçse të jetë e fortë”, si për t’i mbrojtur interesat e veta ashtu edhe për “t’ua shtrirë dorën e ndihmës vëllezërve të saj”.
Duke folur për përpjekjet humanitare dhe diplomatike të Türkiyes në rajonet e krizës, Erdoğan tha se Ankaraja ka bërë diferencë duke dërguar mbi 103 mijë tonë ndihma humanitare në Gaza, pavarësisht kufizimeve.
“Në Gaza, shumë nëna, bashkëshorte dhe fëmijë po kërkojnë nënat, baballarët, partnerët e tyre, ose presin të marrin lajme për fatin e tyre,” tha ai.
Duke folur për veprimet agresive të Tel Avivit kundër Sirisë, Erdoğan tha se Izraeli është aktualisht pengesa kryesore për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të këtij vendi të shkatërruar nga lufta, ku një administratë e re mori drejtimin një vit më parë pas rrëzimit të Bashar al-Assadit.
Numri i refugjatëve sirianë në Türkiye që janë kthyer në atdhe ka arritur në 580 mijë, tha presidenti turk, duke shtuar se me konsolidimin e stabilitetit do të rritet kthimi vullnetar dhe dinjitoz i refugjatëve.
Ankaraja po nxit ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për zbatimin e marrëveshjes së 10 marsit me SDF-në e Sirisë, “e cila rrezikon të shndërrohet në krizë nëse has në rezistencë”, paralajmëroi ai.
Sa i përket Kaukazit të Jugut, Erdoğan tha se Ankaraja është në dialog me Bakunë dhe po e avancon procesin e normalizimit me Jerevanin. Si Armenia ashtu edhe Azerbajxhani janë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje, shtoi ai.