Kushtetuesja e Kosovës pezullon përkohësisht dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

Masa e përkohshme ndalon çdo veprim të presidentes lidhur me dekretin e datës 6 mars 2026, si dhe çdo veprim të Kuvendit që lidhet me këtë çështje.

By
Kushtetuesja e Kosovës pezullon përkohësisht dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit / AA

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Sipas vendimit të publikuar të hënën, masa e përkohshme ndalon çdo veprim të presidentes Osmani lidhur me dekretin e datës 6 mars 2026, si dhe çdo veprim të Kuvendit që lidhet me këtë çështje.

Masa hyn në fuqi më 9 mars dhe do të mbetet në fuqi deri më 31 mars 2026.

Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese ishte dorëzuar në emër të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit presidencial.

Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ka për qëllim parandalimin e dëmeve të pariparueshme për rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve të vendit.

“Ndërmarrja e kësaj mase është në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe interesit publik”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.