Kryeministri i Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Unal Ustel, të dielën kritikoi ashpër Administratën e Qipros Greke (AQG) për dërgimin e një letre në Kombet e Bashkuara kundër memorandumit të mirëkuptimit për ndërtimin e një gazsjellësi të gazit natyror të nënshkruar me Türkiyen.
“Ju nuk mund ta pengoni zhvillimin e popullit qipriot turk, forcimin e lidhjeve tona me atdheun tonë, Türkiyen, apo hapat që po ndërmarrim për të ardhmen tonë energjetike”, tha Ustel në një deklaratë të publikuar nga zyra e tij.
“Le të ankohen sa të duan. Së bashku me atdheun tonë, Türkiyen, ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e popullit tonë, të forcojmë vendin tonë dhe të ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë”, shtoi ai.
Ustel tha se Administrata e Qipros Greke ka nënshkruar marrëveshje të ndryshme ndër vite, duke shpërfillur vullnetin e popullit qipriot turk. Për këtë arsye, sipas tij, kundërshtimi i një marrëveshjeje mes Republikës Turke të Qipros së Veriut dhe Türkiyes është kontradiktor.
Gazsjellësi i planifikuar Türkiye–RTQV është një sistem transmetimi prej 101 kilometrash, që përfshin një pjesë nënujore dhe një pjesë tokësore, dhe do të shtrihet nga Anamuri në Türkiye deri te termocentrali Teknecik në RTQV.
Projekti, për të cilin në korrik u nënshkrua një memorandum zyrtar mirëkuptimi dhe që synohet të përfundojë në vitin 2028, ka për qëllim furnizimin me karburant më të pastër për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe forcimin e lidhjeve energjetike në rajon.
“Republika Turke e Qipros së Veriut ka vullnetin për të marrë vendime për të ardhmen, zhvillimin dhe sigurinë e saj energjetike. Administrata e Qiprios Greke nuk mund të vendosë se në cilat fusha do të bashkëpunojmë me atdheun tonë, Türkiyen”, deklaroi Ustel.
Duke theksuar se shqetësimi kryesor i qipriotëve grekë është forcimi i lidhjeve mes Republikës Turke të Qipros së Veriut dhe Türkiyes, Ustel tha se Administrata e Qipros Greke nuk ua njeh qipriotëve turq të njëjtat të drejta që pretendon për vete.

















