| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Australia heton rastin e parë të gripit të shpendëve H5 në kontinent
Rasti i dyshuar përfshin një skua kafe të gjetur në Parkun Kombëtar Cape Le Grand në bregdetin jugor të shtetit.
Australia heton rastin e parë të gripit të shpendëve H5 në kontinent
Australia heton rastin e parë të gripit të shpendëve H5 në kontinent/ Foto: AA

Australia po heton atë që mund të bëhet rasti i parë në kontinent i llojit shumë patogjen H5 të gripit të shpendëve, pasi një zog detar shtegtar në Australinë Perëndimore rezultoi pozitiv për gripin e shpendëve.

Transmetuesi kombëtar ABC raportoi se rasti i dyshuar përfshin një skua kafe të gjetur në Parkun Kombëtar Cape Le Grand në bregdetin jugor të shtetit.

Analizat fillestare zbuluan praninë e llojit H5, ndërsa po kryhen analiza të mëtejshme laboratorike për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për llojin vdekjeprurës H5N1, i cili ka shkatërruar popullatat e shpendëve dhe gjitarëve në mbarë botën në vitet e fundit. Rezultatet priten brenda pak ditësh.

Një zog i dytë i sëmurë, i identifikuar si petrel gjigant, po u nënshtrohet gjithashtu analizave. Autoritetet australiane kanë nisur një reagim të koordinuar që përfshin agjenci federale dhe shtetërore dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin kontaktin me zogjtë e sëmurë ose të ngordhur.

Nëse konfirmohet, ky rast do të përbënte një moment të rëndësishëm për Australinë, e cila ka mbetur kryesisht e paprekur nga H5N1 në territorin kontinental, pavarësisht se virusi është përhapur në pjesën më të madhe të botës.

Ky lloj ishte zbuluar më parë tek fauna e egër në ishullin e largët subantarktik Heard në fund të vitit 2025.

Zyrtarët e mjedisit dhe bujqësisë thanë se masat e gatishmërisë, përfshirë forcimin e biosigurisë, monitorimin e faunës së egër dhe planifikimin e reagimit, janë përforcuar në pritje të mbërritjes së mundshme të virusit.

Ekspertët paralajmërojnë se një shpërthim i virusit në territorin kontinental mund të paraqesë rreziqe serioze për speciet vendase të shpendëve dhe për kafshët e tjera të egra.