Warner Bros njoftoi të enjten se oferta e fundit e Paramount ishte “më e mirë” se ajo e Netflix, ndërsa Netflix refuzoi të rrisë ofertën e tij.
Drejtorët ekzekutivë të Netflix, Ted Sarandos dhe Greg Peters, thanë se “marrëveshja nuk është më financiarisht atraktive” në këtë çmim, raporton BBC.
Paramount në momentet e fundit rriti ofertën e tij në 31 dollarë për aksion në para të gatshme, me garanci shtesë prej shtatë miliardë dollarësh në rast të dështimit të marrëveshjes.
Prokurori i Kalifornisë, Rob Bonta, paralajmëroi se bashkimi “nuk është një gjë e sigurt” pasi zyra e tij po kryen një hetim, ndërsa Paramount duhet të marrë gjithashtu miratimin e Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe të autoriteteve rregullatore evropiane.
Marrëveshja mund të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e CNN-it, i cili së bashku me HBO Max, Food Network dhe kanalet sportive do të kalonte nën kontrollin e Paramount.
Paramount, i cili ka përkrahjen e miliarderit Larry Ellison, ishte refuzuar më parë nga Warner Bros, por tani ka ofruar më shumë se Netflix. Lidhja e kompanisë me administratën e Trumpit ka tërhequr vëmendje, pasi Ellison është një donator i madh i Partisë Republikane, ndërsa dhëndri i Trump, Jared Kushner, më parë kishte mbështetur ofertën e Paramount përmes firmës së tij investuese.
Nëse autoritetet rregullatore miratojnë marrëveshjen, Paramount do të marrë përdoruesit e streaming të HBO Max dhe do të zgjeronte portofolin e tij, i cili tashmë përfshin Nickelodeon, CBS dhe Comedy Central.
Shitja e Warner Bros do të ketë pasoja të mëdha për Hollywood-in, duke përfshirë pritet ulje të stafit në një industri që tashmë është goditur nga reduktimi i prodhimeve.






.png?width=512&format=webp&quality=80)







