Në Shqipëri është prezantuar projekti i Bashkimit Evropian (BE) për sigurinë ushqimore, me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga disa institucione dhe përfaqësuesve të Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Në aktivitetin e organizuar në Tiranë edhe në kuadër të Ditës së Sigurisë Ushqimore, ishin të pranishëm drejtues të ministrive, ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Shqipërisë, Andis Salla, gjatë fjalës së tij tha se projekti vjen në një moment kyç për Shqipërinë dhe sipas tij përbën një mbështetje të rëndësishme për koordinimin e reformave dhe forcimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë ushqimore.
"Ne e vlerësojmë lart këtë mbështetje dhe mbështetjen e vazhdueshme që na është ofruar gjatë gjithë këtij procesi. Siguria ushqimore është një shtyllë themelore e shëndetit publik për mbrojtjen e konsumatorit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit agroushqimor. Është gjithashtu një element kyç për rritjen e aftësisë konkurruese të prodhuesve shqiptarë dhe përafrimin e tyre në tregun evropian. Në këtë kuadër, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural mbetet plotësisht e angazhuar në ndërtimin e një sistemi modern të besueshëm dhe të harmonizuar me standardet e BE-së", tha ai.
Salla theksoi se Qeveria e Shqipërisë mbetet e angazhuar dhe plotësisht e qartë për të gjitha institucionet përkatëse për përmbushjen me sukses të reformave "në bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë". Sipas tij, ky angazhim lidhet drejtpërdrejtë me avancimin e procesit drejt Bashkimit Evropian.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato dhe zyrtarë të tjerë.
Projekti "BE-ja për Sigurinë Ushqimore" financohet nga BE me kontribut të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.
Sipas autoriteteve shqiptare, projekti synon të mbështesë Shqipërinë për përafrimin e sistemeve të saj të sigurisë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare me standardet e BE-së.
Gjithashtu theksohet se projekti mbështet procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, "duke forcuar drejtimin e sigurisë ushqimore dhe duke promovuar një sistem modern, transparent dhe efektiv të sigurisë ushqimore".






















