| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Ligjvënësi iranian: Ngushtica e Hormuzit nuk do të kthehet në gjendjen para luftës
“Ne nuk do ta kthejmë në asnjë mënyrë Ngushticën e Hormuzit në gjendjen e saj të mëparshme, sepse ky është një urdhër nga Lideri i Revolucionit Islamik”, tha Nikzad.
Ligjvënësi iranian: Ngushtica e Hormuzit nuk do të kthehet në gjendjen para luftës
Ligjvënësi iranian: Ngushtica e Hormuzit nuk do të kthehet në gjendjen para luftës / Reuters

Një ligjvënës i lartë iranian, mes të kufizimeve të Iranit ndaj transportit detar në këtë rrugë strategjike dhe një bllokade amerikane ndaj porteve iraniane, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit nuk do të kthehet në gjendjen para luftës.

“Ne nuk do ta kthejmë në asnjë mënyrë Ngushticën e Hormuzit në gjendjen e saj të mëparshme, sepse ky është një urdhër nga Lideri i Revolucionit Islamik”, tha Ali Nikzad, nënkryetar i dytë i parlamentit iranian.

“A nuk tha Donald Trumpi, pasi bombardoi Fordon dhe Natanzin, se gjithçka ishte shkatërruar dhe Irani nuk kishte më program bërthamor? Megjithatë tani thotë se nuk do të pranojë që Irani të ketë kapacitet bërthamor”, shtoi ai.

Duke folur për agjencinë gjysmëzyrtare Mehr, ai u shpreh: “Kush është Trumpi që ta vendosë këtë?”.

Që nga fillimi i luftës së nisur nga ShBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit më 28 shkurt, Teherani ka mbajtur kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, e ndjekur nga një bllokadë detare amerikane më 13 prill, që ka ndikuar në furnizimet globale të energjisë, veçanërisht në Azi.

Uashingtoni dhe Teherani zhvilluan bisedime në kryeqytetin pakistanez Islamabad dy javë më parë, por nuk arritën marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit.

Negociatat erdhën pas një armëpushimi dyjavor të ndërmjetësuar nga Pakistani më 8 prill, i cili më vonë u zgjat nga presidenti Trump.

Megjithëse po vazhdojnë përpjekjet për një raund të ri bisedimesh, disa nga çështjet kryesore mbeten Ngushtica e Hormuzit, bllokada amerikane e porteve iraniane dhe uraniumi i pasuruar i Iranit.