Serbia nuk ka marrë leje që Industria e Naftës së Serbisë (NIS) të vazhdojë funksionimin, pas së cilës lejoi mbylljen e rafinerisë në Pançevë, tha sot presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me ekipet përgjegjëse për stabilitetin dhe sigurinë energjetike të vendit, të mbajtur në Beograd.
Ai tha se ministrja e Minierave dhe e Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, do të informojë sot NIS-in se "nuk kemi asnjë indikacion se amerikanët do të japin licensë për funksionimin e rafinerisë", gjë që, siç tha ai, do të çojë në ndërprerjen e funksionimit të rafinerisë në përputhje me vendimin e NIS-it.
"Nëse e bëjnë sot, nesër apo pasnesër është punë e tyre. Sigurisht që do ta bëjnë shpejt, sepse sot, ndërsa janë në fazën e ngrohtë, siç e quajmë ne, po humbasin 370 mijë euro në ditë dhe është punë e tyre kur duan ta mbyllin plotësisht rafinerinë", tha Vuçiq.
Ai shtoi se Serbia ka dhënë leje për mbylljen e rafinerisë duke thënë se "nuk mund t'i mashtrojmë partnerët tanë rusë me lajme të rreme".
Lidhur me sanksionet dytësore, Vuçiq tha se ato zbatohen për të gjithë sistemin e pagesave në Serbi ndërsa rezervat shtetërore të produkteve të naftës nuk do të shpërndahen përmes pikave të shitjes së NIS-it, sepse kjo do ta vinte gjithë vendin nën sanksione.
Më 18 nëntor, Industria e Naftës e Serbisë (NIS) paraqiti kërkesë të re në Zyrën e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) të Departamentit të Thesarit të ShBA-së për lëshimin e një license të veçantë, e cila synon t’i mundësojë operacionet e pandërprera të kompanisë.
Licensa e mëparshme e datës 14 nëntor, e vlefshme deri më 13 shkurt 2026, miratoi negociatat midis aksionarëve dhe palëve të tjera të interesuara për ndryshimin e strukturës së pronësisë së NIS-it.
ShBA-ja vendosi sanksione ndaj NIS-it më 9 tetor për shkak të pronësisë së saj ruse.

















