Kryeparlamenari i Türkiyes dënon sulmin e Izraelit ndaj Flotiljes së Lirisë

“Edhe Hitleri ndoshta nuk shkoi kaq larg. Vetë uria është shndërruar në armë kundër popullit të Gazës”, tha Numan Kurtulmuş.

Kryeparlamenari i Türkiyes dënon sulmin e Izraelit ndaj Flotiljes së Lirisë / AA

Kryetari i Parlamentit të Türkiyes, Numan Kurtulmuş, dënoi të mërkurën sulmin e Izraelit ndaj Flotiljes së Lirisë në ujërat ndërkombëtare, duke zbuluar se tre deputetë turq janë ndaluar nga forcat izraelite ndërsa ndodheshin në bord të një prej anijeve.

“Tre kolegë tanë të nderuar, heroikë, anëtarë të Parlamentit të Türkiyes, u ndaluan dhe u arrestuan. Paralajmëroj hapur: nëse preket qoftë edhe një fije floku në kokat e tyre, do të mbaheni përgjegjës para opinionit publik turk dhe ndërkombëtar”, tha Kurtulmuş gjatë fjalës së tij në shfaqjen e dokumentarit From Ground Zero: Beyond the Visible in Gaza në parlament.

Kurtulmuş e përshkroi situatën në Gaza si “gjenocidin më të madh të kohëve moderne”, duke theksuar se gjatë dy viteve të fundit “gjithçka që dikur e konsideronim të paimagjinueshme ka ndodhur, e kryer nga administrata mizore dhe brutale izraelite kundër popullit të pafajshëm palestinez”.

Ai theksoi se numri i të vdekurve në Gaza varion mes 70.000 dhe 100.000, ndërsa mbi 140.000 persona kanë pësuar dëmtime të përhershme.

“Janë shkatërruar shkolla, xhami, kisha dhe çdo hapësirë e banueshme. Madje edhe uria është shndërruar në armë”, tha ai.

“Edhe Hitleri ndoshta nuk shkoi kaq larg. Vetë uria është shndërruar në armë kundër popullit të Gazës”, shtoi Kurtulmuş.

Sipas tij, “ky krim masiv kundër njerëzimit” është diçka nga e cila as Netanyahu e as pasardhësit e tij nuk do të mund të shpëtojnë kurrë.

“Ashtu si krimet e Hitlerit që ende mbeten një barrë historike, edhe Netanyahu dhe banda e tij do ta mbajnë këtë përgjegjësi përjetësisht”.

Duke folur për sulmin ndaj Flotiljes Globale Sumud, ai kujtoi se aktivistë nga mbi 40 vende janë ndaluar “në kushte çnjerëzore”.

Kurtulmuş vuri në dukje se Türkiye veproi me shpejtësi për të siguruar lirimin e qytetarëve të saj dhe të shtetasve të vendeve të tjera.

“Ata veprojnë pa asnjë respekt për imunitetin ndërkombëtar apo ligjin detar. Kjo galeri e rëndë mëkatesh është bërë e padurueshme”, deklaroi ai.

Kurtulmuş nënvizoi se procesi ligjor ndërkombëtar tashmë ka nisur, duke kujtuar se Türkiye i është bashkuar padisë së Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe shprehu shpresën që zyrtarët izraelitë “një ditë do të gjykohen në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ashtu si Karaxhiqi dhe Millosheviqi”.

Ai theksoi se sulmi ndaj Flotiljes Sumud është një tjetër dëshmi e “rritjes së ndërgjegjes dhe vetëdijes ndërkombëtare”.

“Këmbanat po bien për Izraelin, për regjimin sionist. Kjo egërsi do të marrë fund, dhe ne si njerëzim do të jemi dëshmitarë të këtij fundi”. shtoi ai.

Duke lavdëruar qëndresën e popullit palestinez, Kurtulmuş tha: “Çdo pikë gjaku dëshmori forcon filizin e Palestinës së lirë. Gjakut e tyre nuk është derdhur kot”.

Në fund, ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të deputetëve të ndaluar, duke i drejtuar një mesazh të prerë Izraelit: Këto akte janë pika e fundit. Njihni vendin tuaj. Uluni dhe ktheni menjëherë deputetët tanë të nderuar në Türkiye.

Më vonë gjatë seancës në parlament, Kurtulmuş përsëriti thirrjen e tij: “Ata që janë ndaluar gjatë sulmit ndaj Flotilës së Lirisë duhet të lirohen menjëherë dhe të kthehen në Türkiye. I bëj thirrje Izraelit të vijë në vete”.