| Albanian
TÜRKİYE
1 minuta leximi
Presidenti turk mbërrin në Korenë e Jugut për vizitë zyrtare
Erdoğan do të takohet të martën me homologun e tij koreanojugor, Lee Jae Myung, ndërsa pritet të nënshkruhen marrëveshje dypalëshe.
Presidenti turk mbërrin në Korenë e Jugut për vizitë zyrtare
Presidenti turk mbërrin në Korenë e Jugut për vizitë zyrtare / َAA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, mbërriti të hënën në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, me ftesë të presidentit Lee Jae Myung.

Erdoğan dhe Zonja e Parë, Emine Erdoğan, u pritën në bazën ajrore të Seulit, në Seongnam, nga ministri koreanojugor i Tregtisë, Park Jung-sung.

Në ceremoninë e pritjes ishin të pranishëm edhe ambasadori i Türkiyes në Korenë e Jugut, Fatih Yıldız, dhe bashkëshortja e tij, Nesrin Yıldız.

Presidenti Erdoğan shoqërohet në këtë vizitë nga ministri i Jashtëm Hakan Fidan, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore Alparslan Bayraktar, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë Mehmet Fatih Kacır, nënkryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe përgjegjësi për Politikat Shëndetësore Halit Yerebakan, si dhe kreu i Industrisë së Mbrojtjes Haluk Görgün.

Në kuadër të vizitës, e cila do të zgjasë deri më 4 nëntor, Erdoğan pritet të zhvillojë të martën një takim zyrtar me presidentin koreanojugor Lee Jae Myung.

Bisedimet pritet të përqendrohen në të gjitha aspektet e partneritetit strategjik ndërmjet Türkiyes dhe Koresë së Jugut, si dhe në zhvillimet aktuale rajonale dhe globale.

Gjithashtu, të dyja palët pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje që synojnë forcimin e kuadrit ligjor të marrëdhënieve dypalëshe.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë