Vizita e fundit e ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, në Kiev shërben si një dritare ndaj doktrinës më të gjerë diplomatike të Ankarasë, sesa si një zhvillim i ngushtë dypalësh.
Ekspertët thonë se vizita dëshmon përkushtimin e Türkiyes për të mbajtur kanale të nivelit të lartë gjatë periudhave të konfliktit, mbrojtjen e interesave të saj afatgjata në Detin e Zi dhe ndjekjen e bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike dhe të sigurisë – të gjitha këto pa u kyçur në rreshtime të ngurta gjeopolitike.
Drejtori i Qendrës "Haydar Aliyev", Yasar Sari, për Studime Euroaziatike në Universitetin "Ibn Haldun", e përshkruan qasjen e Türkiyes ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë si një autonomi strategjike të ushtruar përmes "amfibiut/ambiguitetit strategjik" dhe "mbrojtjes nga rreziqet".
Në vend që të zgjedhë anë, Ankaraja mban një qëndrim fleksibël që i lejon ta rrisë ndikimin e saj me palë të shumta njëkohësisht, thotë ai.
“Kjo nuk është unifikim apo pavendosmëri, por një zgjedhje strategjike, që e reflekton pozicionin e Ankarasë si fuqi e mesme që navigon në korniza sigurie që mbivendosen – NATO-n, rajonin e Detit të Zi dhe lidhjet ekonomike me Rusinë”, deklaroi Sari për TRT World.
Ai vëren se Fidan e bëri pikë kryesore gjatë vizitës të shprehte qëndrimin e vendosur të Türkiyes mbi sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës, ndërsa e theksoi gjithashtu forcimin e partneritetit strategjik dypalësh.
Në të njëjtën kohë, Fidan e riafirmoi gatishmërinë e Türkiyes për ta lehtësuar kthimin e të dyja palëve në negociata – një rol i mbajtur falë angazhimit të vazhdueshëm diplomatik dhe ekonomik të Ankarasë me Moskën dhe vendimit të saj për të mos iu bashkuar regjimeve të sanksioneve perëndimore.
Kjo kombinim tregon se si Türkiye e pozicionon veten si një “ndërmjetës i domosdoshëm fuqie” dhe një “forcë stabilizuese” e aftë për t'u angazhuar me të gjithë aktorët relevantë.
Eksperti për Rusinë dhe Euroazinë në qendrën analitike "Dunya Siyaseti" Sabir Askeroglu me qendër në Istanbul, e vendos vizitën e Fidanit brenda konceptit të Türkiyes për një “fuqi qendrore balancuese dhe fleksibile”.
Sidoqoftë, ajo autonomi strategjike nuk do të thotë distancim nga NATO-ja, thotë ai.
“Përkundrazi, ajo i referohet kapacitetit të Türkiyes për t'i ndjekur prioritetet e veta të sigurisë rajonale përmes iniciativave diplomatike të pavarura, duke mbetur e përkushtuar ndaj parimeve bazë të (NATO-s)”, tha ai për TRT World.
Askeroglu thotë se Ankaraja e kombinon parandalimin ushtarak me angazhimin diplomatik proaktiv, duke e dalluar atë brenda NATO-s në një kohë kur ShBA-ja ka sinjalizuar një rol më të kufizuar në sigurinë evropiane.
Takimet në Kiev duhet të shihen gjithashtu si përgatitje për periudhën pasluftës, thotë Askeroglu.
Qëllimi i Ankarasë është të kontribuojë në ruajtjen e kapacitetit shtetëror të Ukrainës përmes bashkëpunimit të qëndrueshëm në rindërtim, infrastrukturë, tregti, energji dhe partneritete të mbrojtjes industriale, vëren Askeroglu.
Ato elemente i formojnë dimensionet ekonomike dhe institucionale të kuptimit të sigurisë nga ana e Türkiyes – jo si një koncept thjesht ushtarak, por si një stabilitet rajonal afatgjatë i ndërtuar mbi shtylla të shumta, thotë ai.
Türkiye si një fuqi e mesme
Profesoresha e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin "Istanbul Medeniyet", Helin Sari Ertem, thotë se sjellja e Türkiyes si fuqi rajonale ka evoluar brenda një tranzicioni më të gjerë global.
“Do të ishte ilogjike ta ndanim përsëri botën në blloqe betoni përmes të cilave shtetet do të ishin të detyruara të merrnin anë”, tha ajo për TRT World, duke vërejtur se shekulli XXI kërkon qëndrueshmëri përmes fleksibilitetit.
Fuqitë e mesme në ngritje, si Türkiye, veprojnë me autonomi strategjike, duke investuar në kanale të hapura komunikimi me aktorë të ndryshëm në vend që t'i kufizojnë veten në ideologji apo blloqe të ngurta, thotë ajo.
Ertem përmend idenë e një “bote me gjeometri të ndryshueshme”, në të cilën shtetet krijojnë aleanca të madhësive dhe detyrave të ndryshme sipas nevojave specifike.
Türkiye e ka ilustruar këtë mundësi gjatë katër viteve e gjysmë të fundit duke i mbajtur kanalet e komunikimit të hapura me të gjitha palët në kërkim të paqes në pellgun më të gjerë të Detit të Zi.
Ky fleksibilitet, më parë se çdo zhvendosje drejt njërore apo tjetrës palë, e përcakton doktrinën e shfaqur në Kiev, thotë ajo.
Teoman Ertugrul Tulun, një analist nga Ankaraja në Qendrën e Studimeve Euroaziatike, e përshkruan evolucionin e qasjes së Türkiyes si një pjekuri “nga menaxhimi reaktiv i krizave në një gjenerues proaktiv të kuadrit të paqes”.
“Në vend që të miratojë një qasje të bazuar në blloqe, Ankaraja vazhdon të ndjekë një diplomaci pragmatike që e thekson pronësinë rajonale, deeskalimin dhe angazhimin konstruktiv”, tha ai për TRT World.
Ai e tregon përpjekjen e Ankarasë për ta riaktivizuar Kuadrin e Istanbulit – bazën diplomatike të vendosur gjatë negociatave të paqes Rusi-Ukrainë të vitit 2022 për t'i dhënë fund konfliktit – si dëshmi konkrete të këtij orientimi proaktiv.
Mbarëvajtje rajonale me përgjegjësi
Përtej kontekstit të menjëhershëm të vizitës, ekspertët konvergjojnë mbi centralitetin e Detit të Zi – një trup ujor vendimtar mes Evropës dhe Azisë që preket nga gjashtë vende, përfshirë Türkiyen, Ukrainën dhe Rusinë – për doktrinën afatgjatë të Ankarasë.
Sari thekson përqendrimin e Fidanit në prapësimin dhe papranueshmërinë e sulmeve ndaj porteve dhe anijeve tregtare “nën çdo rrethanë”.
Ky pozicion i shërben sigurisë kombëtare dhe interesave ekonomike të Türkiyes duke i mbrojtur rrugët e rëndësishme detare të transportit dhe konfirmon rolin e Ankarasë si kujdestare rajonale dhe rojtare e Konventës së Montrosë, marrëveshjes 90-vjeçare që riafirmoi sovranitetin e Türkiyes mbi Ngushticat Turke si ujëra të brendshme të vendit.
Askeroglu kujton Nismën e Drithërave të Detit të Zi – një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Türkiye në vitin 2022 që lejoi eksportet e drithërave ukrainase – si një nga përpjekjet më domethënëse diplomatike për t'i kufizuar pasojat ekonomike të konfliktit Rusi-Ukrainë.
Ai vëren se goditjet e vazhdueshme mbi portet dhe asetët detare minojnë tregtinë rajonale dhe sigurinë energjetike, duke e përforcuar nevojën për angazhim të vazhdueshëm diplomatik për të ulur kostot për të gjitha palët.
Tulun e kornizon Detin e Zi si një “korridor strategjik vital” për sigurinë globale të energjisë dhe ushqimit.
Strategjia afatgjatë e Türkiyes përqendrohet në mbajtjen e detit si një “hapësirë detare me rregulla dhe e stabilizuar” në vend të një arene për “ballafaqim mes fuqive të mëdha”, thotë ai.
Propozimet praktike të paraqitura gjatë vizitës – si masat për mbrojtjen e infrastrukturës energjetike dhe lundrimit tregtar – formojnë pjesë të përpjekjeve më të gjera për ndërtimin e besimit dhe sigurisë, vëren ai.
Tulun thekson ofertën e Türkiyes për ta udhëhequr komponentin e sigurisë detare të aranzhimeve të ardhshme për rajonin, ndërsa mban fort regjimin e Montrosë.
Kjo lëvizje reflekton atë që ai e quan “mbarëvajtje rajonale me përgjegjësi” nga ana e Türkiyes – një koncept gjeopolitik në të cilin një shtet i madh e merr përsipër përgjegjësinë e ruajtjes së stabilitetit brenda fqinjësisë së vet gjeografike.
“Kjo qasje e parandalon ndërkombëtarizimin e tepërt të pellgut ndërsa i mbron korridoret kritike të tregtisë nga lufta tokësore,” thotë Tulun.























