Qeveria ruse ka zgjatur deri më 31 tetor ndalimin e përkohshëm të eksporteve nga prodhuesit e drejtpërdrejtë të naftës dizel dhe karburantit detar si dhe të gazoilit.
“Dekreti zgjat ndalimin e eksportit të naftës dizel dhe karburantit detar si dhe të gazoilit, të eksportuara nga Rusia drejtpërdrejt nga prodhuesit, deri më 31 tetor të vitit 2026, përfshirë këtë datë”, njoftoi shërbimi për media i Kabintetit të Ministrave.
Qeveria ruse tha se masa synon ruajtjen e stabilitetit në tregun e brendshëm të karburanteve, në kushtet e rritjes së kërkesës për karburant gjatë sezonit bujqësor të korrjeve.
Një ndalim më i gjerë i eksporteve të karburanteve mbetet në fuqi në Rusi deri më 31 janar të vitit 2027. Kufizimi për prodhuesit e drejtpërdrejtë më herët ishte parashikuar të përfundonte më 30 shtator.
Rusia është përballur me mungesa të karburanteve pas sulmeve me dronë nga Ukraina ndaj rafinerive të naftës dhe infrastrukturës tjetër energjetike, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje në furnizimet e brendshme.


























