Erdoğan: "Rrjeti i gjenocidit i verbuar nga urrejtja" përdor fenë si mbulesë dhe thellon krizën

Qeveria e Netanyahut, paralajmëroi presidenti Erdoğan, jo vetëm që po e shënjestron Iranin, por gjithashtu gradualisht po zbaton plane për ta pushtuar Libanin.

By
Erdoğan: "Rrjeti i gjenocidit i verbuar nga urrejtja" përdor fenë si mbulesë dhe thellon krizën / AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka kritikuar administratën izraelite, duke e cilësuar si një "rrjet gjenocidi të verbuar nga urrejtja" për shkak të veprimeve të saj në rajon, duke theksuar se ajo po e zhyt rajonin në trazirat më të këqija të këtij shekulli.

"Lufta e nisur kundër Iranit po vazhdon të përfshijë rajonin në gjak dhe barut ndërsa raketat po godasin fëmijë të pafajshëm teksa janë në shkollë", tha presidenti Erdoğan para drejtuesve rajonal të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Ankara, duke iu referuar shkollës së bombarduar në Minab të Iranit.

Qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, paralajmëroi presidenti Erdoğan, jo vetëm që po shënjestron Iranin, por gjithashtu gradualisht po zbaton plane për të pushtuar Libanin.

Türkiye, shtoi ai, nuk bën dallime "mes vëllezërve dhe fqinjëve të saj" dhe nuk qëndron duarkryq teksa ata vuajnë.

Sa i përket vendimit të Izraelit për të mos lejuar muslimanët të falin namazin e Bajramit në xhaminë Al-Aksa në Kuds, Erdoğan tha se ndalimi i faljes së Bajramit në Al-Aksa, për herë të parë që nga viti 1967, është sulm i "pacipë" ndaj besimit të 2 miliardë muslimanëve.

"E drejta e myslimanëve për t'u falur në xhaminë Al-Aksa nuk mund të merret, të bllokohet apo të ndalohet, pavarësisht justifikimit", theksoi presidenti turk, duke kritikuar administratën izraelite.