Kur udhëheqësit kryesorë të Evropës nënshkruan Traktatin e Maastrichtit në vitin 1992 për t’i vendosur themelet e Bashkimit Evropian, shfaqja e këtij blloku të ri të kombeve të pasura dhe të fuqishme shënoi një moment të rëndësishëm për rendin e pas Luftës së Dytë Botërore.
Tri dekada më vonë, ëndrra është zbehur dhe projekti për unifikimin e kontinentit në sektorin financiar, ekonomik, politik dhe të mbrojtjes duket se po lëkundet.
Mbretëria e Bashkuar, për një kohë të gjatë një nga shtetet më me ndikim të Evropës dhe një fuqi e madhe globale deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, u largua nga BE-ja përmes referendumit të diskutueshëm të Brexit-it pesë vjet më parë, duke e futur unionin në pasiguri.
Por, më e keqja sakaq do të vinte.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe politika agresive America First e Trumpit kanë ekspozuar dobësitë e bllokut, duke i lënë krahët e tij të pambrojtur ndaj Moskës në mungesë të garancive të forta të sigurisë amerikane.
Një takim në gusht mes Trumpit dhe udhëheqësve evropianë në Shtëpinë e Bardhë mbi luftën në Ukrainë ishte shembullor në këtë drejtim. Bashkëbiseduesit e presidentit amerikan nga ana tjetër e Atlantikut “u grumbulluan rreth tavolinës së Trumpit” si ushtarë gati për të marrë urdhra nga komandanti i tyre amerikan.
Javën e kaluar, Trump shkoi edhe më tej.
Të premten, Shtëpia e Bardhë publikoi një dokument prej 33 faqesh mbi Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, i cili nuk kurseu kritikat për Evropën, duke akuzuar aleatët amerikanë përtej Atlantikut për “mungesë vetëbesimi” në çështje të ndryshme – nga statusi ushtarak te standardet demokratike – dhe për humbje të identitetit nga migracioni që do të çonte në një “zhdukje civilizimi”.
Sipas dokumentit, Evropa përballet me shumë probleme pjesërisht për shkak të politikave të BE-së, të cilat “minojnë lirinë politike dhe sovranitetin, politikat e migracionit që po e transformojnë kontinentin dhe krijojnë përçarje, censurimin e fjalës së lirë dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e lindshmërisë dhe humbjen e identiteteve kombëtare dhe vetëbesimit”.
Nga Brexiti te lufta në Ukrainë dhe sulmet e fundit të administratës Trump kundër Evropës tregojnë ndikimin e zbehur ndërkombëtar të kontinentit të vjetër dhe rolin e tij dytësor në garën e re të fuqive të mëdha mes ShBA-së, Rusisë dhe Kinës, sipas analistëve.
“Nga këndvështrimi i fuqisë së pastër gjeopolitike dhe ushtarake, mund të thuhet se Evropa ka parë një nivel rënieje në vitet dhe dekadat e fundit”, thotë Eugene Chausovsky, ekspert i mbrojtjes dhe drejtor i lartë i zhvillimit analitik në New Lines Institute, Uashington DC.
Ndikime negative
Ndërsa Chausovsky nuk dëshiron ta karakterizojë kategorikisht Evropën si humbësen e kësaj gare fuqish, ai pranon se kontinenti i vjetër “është përballur pa dyshim me ndikime negative të kësaj gare në shumë mënyra”.
Sipas tij, “ndikimet negative” lidhen më së shumti me negociatat ShBA-Rusi mbi luftën në Ukrainë, nga të cilat Trump ka përjashtuar pothuajse tërësisht udhëheqësit evropianë, përfshirë Volodymyr Zelenskyy.
Në një telefonatë të fundit të rrjedhur, Presidenti francez Emmanuel Macron dëgjohej duke paralajmëruar Presidentin Zelenskyy të mos i besonte Trumpit sepse ai mund ta “tradhtojë Ukrainën”, duke demonstruar një deficit në rritje të besimit mes lidershipit evropian dhe atij amerikan, dhe një ulje të ndikimit të BE-së mbi Uashingtonin.
Por, mosbesimi Evropë-ShBA nuk kufizohet vetëm te lufta në Ukrainë.
Një arsye tjetër e rënies së ndikimit të BE-së në çështjet ndërkombëtare janë bisedimet tregtare ShBA-Kinë, të cilat i kanë vendosur udhëheqësit evropianë në një pozitë të vështirë sa i përket lidhjeve tregtare dhe teknologjike me dy ekonomitë më të mëdha botërore.
Për të qenë të saktë, BE-ja u detyrua të nënshkruante një marrëveshje tarifore të pafavorshme me Uashingtonin, thotë Chausovsky.
“Por, Evropa po e shfrytëzon këtë garë fuqish edhe në mënyra të tjera, si gjallërimi i autonomisë së saj ekonomike dhe zhvillimi ushtarak”, thotë ai, duke shtuar se “Evropa ende ka fuqi të madhe ekonomike dhe rregullatore kolektive, dhe blloku është një lojtar i rëndësishëm në skenën botërore, ndonëse në mënyra më të nuancuara sesa ShBA-ja, Rusia dhe Kina”.
Ashtu si Chausovsky, Muzaffer Senel, studiues vizitor në Departamentin e Politikës në Universitetin Binghamton, gjithashtu beson se të thuash se Evropa është humbësja e qartë në garën e re të fuqive do të ishte “shumë herët”.
Pavarësisht procesit të ngadaltë burokratik të BE-së dhe fuqisë së vetos së shteteve anëtare, Brukseli po kërkon rrugë të reja për të konkurruar më mirë me Kinën, ShBA-në dhe Rusinë, thotë Senel, duke përmendur nismën e politikës Global Gateway të BE-së në vitin 2021, e cila synon të forcojë lidhshmërinë, rrjetet ndërkombëtare dhe partneritetet, duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm.
BE-ja kundër sovranitetit kombëtar
Ekspertët gjithashtu vënë në dukje se projekti i BE-së, i cili përfshin politika që kufizojnë sovranitetin e vendeve individuale përmes rregulloreve të ndryshme – nga masat financiare te vendimet për klimën – i ka bërë disa shtete anëtare ta vënë në pikëpyetje legjitimitetin e karakterit supranacional të unionit, duke çuar në rritjen e ndikimit të lëvizjeve nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë.
Ndryshe nga ShBA-ja e qeverisur në mënyrë federale, “BE-ja, një projekt federativ, nuk është qeveria e Evropës”, thotë Sergei Markov, akademik rus dhe ish-këshilltar i Vladimir Putin, duke nënvizuar paradoksin e thellë mes ambicies së BE-së për të qenë autoritet supranacional dhe mungesës së forcës së detyrimit ndaj shteteve individuale.
Por, Markov thotë se elitat evropiane, të vetëdijshme për këtë kontradiktë, duan të përdorin luftën në Ukrainë dhe frikën se ajo mund të përhapet në pjesë të tjera të Evropës si një mjet taktik për t'i bërë shtetet anëtare ta pranojnë autoritetin e institucioneve supranacionale të unionit, si Komisioni Evropian.
Gjatë një fjalimi vjetor para ligjvënësve të BE-së në shtator, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se “vijat e betejës për një rend të ri botëror, të bazuar në fuqi, po vizatohen tani. Një Evropë e re duhet të shfaqet”, duke e theksuar nevojën për rritjen e fuqisë së institucioneve të BE-së.
Markov i referohet asaj që e quan “histeri anti-Rusi” dhe shtytjes së elitave evropiane për fuqizimin e institucioneve të BE-së në dëm të sovranitetit të shteteve individuale si shkaqe të mundshme të rënies së demokracisë evropiane.
Për të mbështetur pretendimin e tij, Markov përmend fushatën presionuese të Berlinit kundër partisë së ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland dhe arrestimin e lideres nacionaliste franceze Marine Le Pen, e cila doli e dyta në një sondazh popullariteti në vitin 2023.
Ai gjithashtu përmend kërcënimet në rritje nga Brukseli kundër udhëheqjes hungareze si masa të fundit antidemokratike të BE-së.
A është Evropa “më pak e rëndësishme” për populistin Trump?
ShBA-ja ka ofruar prej kohësh një ombrellë sigurie për Evropën përmes NATO-s, e cila i ka penguar kërcënimet e jashtme si Rusia dhe ka ndihmuar udhëheqësit dhe elitat evropiane të adresojnë ndarjet e tyre me rrënjë historike.
Disa analistë kryesorë besojnë se ShBA-ja kërkon një përfundim të shpejtë të luftës në Ukrainë duke ndërmjetësuar një marrëveshje me Rusinë për t'u fokusuar në kërcënimin kinez, duke synuar një zhvendosje drejt Paqësorit. Si rezultat, ShBA-ja nuk është më e gatshme të luajë rolin e “pajtuesit” në Evropë.
Sipas Markovit, ShBA-ja i jep përparësi fokusit të saj në Paqësor mbi mbrojtjen e Evropës, e cila ka bërë që kontinenti të bëhet më pak i rëndësishëm në sytë e politikëbërësve amerikanë, duke e shtyrë BE-në drejt “vetmisë gjeopolitike” dhe duke thelluar dallimet politike mes grupeve të majta dhe të djathta mbi atë që Evropa dhe BE-ja duhet të përfaqësojnë.
Chausovsky nga New Lines Institute pajtohet.
“Kjo zhvendosje luan një rol shumë të rëndësishëm në shqetësimet e Evropës, një rol që ka qenë veçanërisht i mprehtë në trajtimin e krizës së Ukrainës nga administrata Trump, në mënyra me të cilat Evropa (dhe Ukraina) nuk ndihen rehat.”
Udhëheqësit evropianë bëhen më nervozë përballë retorikës në rritje të Vladimir Putin-it ndaj Ukrainës dhe BE-së. Udhëheqësi rus ka sugjeruar së fundmi se Rusia është në gjendje të marrë nën kontroll gjithë rajonin Donbass në Ukrainën lindore, duke lëshuar një kërcënim të qartë ndaj udhëheqësve evropianë se Moska është “gati” për luftë me ta.
Qëndrimi i sigurt i Rusisë është forcuar pjesërisht nga ndarjet evropiane, më së qarti në luftën në Ukrainë dhe në sferën post-sovjetike përgjatë Evropës Lindore, nga Hungaria në Sllovaki, të cilat kanë qeveri me marrëdhënie miqësore me Moskën.
Konflikti në Ukrainë, i shoqëruar me politikën tregtare të ShBA-së, ka nxjerrë në pah “kufizimet e mbështetjes strategjike evropiane te ShBA-ja”, sipas Chausovsky.
Ndërsa kjo marrëdhënie do të vazhdojë të jetë e domosdoshme edhe në një mjedis global të pasigurt, Evropa ka nevojë të kërkojë “marrëdhënie të diversifikuara, duke i ruajtur lidhjet thelbësore ekonomike dhe të sigurisë me ShBA-në, ndërsa zhvillon mënyra unike për ta shfrytëzuar fuqinë e saj ekonomike dhe rregullatore”.






















